Arbëri

Murati: Rama po përpiqet t’i mbulojë dështimet me viktimizim

Hekuran Murati dhe Perparim Rama

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, po mundohet që dështimin e tij dhe të LDK-së për 4 vjet në Prishtinë, t’i mbulojë dhe arsyetojë me viktimizim. 

Ai ka reaguar me një postim në Facebook, pasi që Rama, bashkë me nënkryetarin Shkëmb Manaj, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë-padi ndaj Ministrisë së Financave për çështjen e buxhetit të kryeqytetit. 

Rama e ka akuzuar Ministrinë dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj kryeqytetit. 

Sipas Muratit, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë buxhetin brenda afateve.

“Çfarë ka ndodhur me buxhetin e Komunës së Prishtinës? Qe faktet: Më 30 shtator 2024, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë projekt-buxhetin e vitit 2025 sipas afatit ligjor. Por as deri më 31 tetor Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë projekt-buxhetin komunal, para se ligji të dërgohet në Kuvend. Pra i ka ikur edhe mundësia e dytë që Komuna e kishte”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se më 31 tetor 2024, Ministria e Financave është detyruar ta dërgojë buxhetin e konsoliduar për miratim në Qeveri e pastaj në Kuvend, “pa e përfshirë projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës i cili nuk ishte miratuar në asamble komunale”. 

“Më 11 nëntor 2024, Kuvendi e miraton në lexim të parë Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Pas kësaj date, Komuna ka pasur edhe një mundësi që ndërmjet dy leximeve të buxhetit në Kuvend, ta miratojë projekt-buxhetin e saj në asamble, por përsëri ka dështuar ta bëjë. Pra i ka ikur edhe mundësia e tretë që e kishte për përfshirje të buxhetit komunal në Ligj të Buxhetit. Me 21 nëntor 2024, Kuvendi e miraton në lexim të dytë Ligjin e Buxhetit”, ka shkruar Murati.

Ai ka thënë se me këtë rast është mbyllur mundësia e përfshirjes së projekt-buxhetit të Prishtinës në Ligjin e Buxhetit, dhe e vetmja mënyrë pas kësaj date mbetet përmes ndryshim/plotësimit në Kuvend të Ligjit të Buxhetit. 

“Me 5 dhjetor 2024 Kuvendi kishte mbajtur seancën e fundit plenare të Legjislaturës së 8-të. Tek me 9 dhjetor 2024, Përparim Rama dhe Komuna e Prishtinës arrijnë ta miratojnë projekt-buxhetin në asamble komunale. Pra Përparim Rama e kishte miratuar projekt-buxhetin në asamble, tek pasi i kishin ikur të gjithë trenat e mundshëm për ta futur buxhetin komunal në Ligj të Buxhetit”, ka shkruar Murati. 
Në këtë situatë, sipas tij e vetmja zgjidhje për përfshirje të projekt-buxhetit komunal në Ligj të Buxhetit është ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit në legjislaturën e re, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. 

“Këtë fakt edhe ia ka komunikuar MFPT, dhe Përparim Rama e din shumë mirë. Mirëpo tash që ka dështuar për 4 vite në qeverisje, duket se ka nevojë që të viktimizohet para votuesve e t’ia krijojë vetes një alibi për dështimin që ka pasur. Mirëpo kot është kjo maskaradë, sepse Dështim Rama nuk do të mund t’i mashtrojë votuesit e Prishtinës pasi që herën e parë e keqpërdori besimin e tyre”, ka shkruar Murati.