Arbëri

Rama i drejtohet Kushtetueses: Ministria e Financave po i mban të bllokuara milionat e kryeqytetit

Perparim Rama

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, bashkë me nënkryetarin Shkëmb Manaj, kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë-padi ndaj Ministrisë së Financave për çështjen e buxhetit të kryeqytetit. 

Pas dorëzimit të kërkesës Rama e ka akuzuar Ministrinë dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për bllokadë politike ndaj kryeqytetit. 

“Kjo qeverisje vetëm bllokada ka bërë për çështje puro politike, ky ministër e ka blloku procesin kur e kanë parë që si kryeqytet po transferohemi. Kanë parë zhvillim dhe si rezultat kanë marrë masa të tjera ilegale. Ato fonde janë tonat dhe të taksapaguesve te kryeqytetit. Ne kemi përgatitur padi të tjera për ministra të tjerë”, është shprehur Rama. 

Rama ka theksuar se 35 milionë euro i takojnë ligjërisht kryeqytetit po mbahen të bllokuara nga Ministria.

“Fondet të cilat me ligj i takojnë Kryeqytetit janë të bllokuara tash e nëntë muaj. Në instanca të ndryshme kjo qeverisje ka bërë bllokada në nivele të ndryshme, prej unazës së qytetit ku janë bllokuar 82 milionë euro të cilat kanë qenë falas, por për çështje politike ky ministër e ka penguar procesin,” shtoi Rama.

Ndërsa Manaj ka thënë Ministria për 9 muaj e ka bllokuar buxhetin e Komunës. 

“Kjo me argumentin tonë që e kemi ngritë në Kushtetuese, përbën shkelje ligjore sepse cenohet buxhetimi i Komunës dhe vetë qytetarët dhe projektet që duhet të bëhen në kryeqytet. Kjo bllokadë është puro politike dhe ne kërkojmë nga Gjykata që ta trajtojë me seriozitet dhe të lejohet buxheti prej 35 milionë eurosh”, ka theksuar Manaj.

Në fillim të korrikut, kryetari Rama pati akuzuar Qeverinë se po bllokon qëllimshëm kryeqytetin. Ai pati thënë se ndalesa është e jashtëligjshme dhe e motivuar politikisht. Rama pati publikuar edhe një letër drejtuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Aty Rama pati thënë se problemi financiar i kryeqytetit është pasojë e mosfunksionalizimit të institucioneve qendrore, që nuk kanë bërë ndryshimet në Ligjin për Buxhetin 2025. Në letër, Rama kishte shkruar po ashtu se Ministria s’po ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

E ministri Murati i pati quajtur gënjeshtra pretendimet e Ramës për bllokim. Sipas Muratit, buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor. Sipas tij, tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjidhet qeveria e re, mund të iniciohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Përplasjet Komunë-Qeveri kanë qenë të vazhdueshme. Rama në disa raste ka akuzuar Qeverinë se po përpiqet qëllimisht t’ia ndalojë projektet në kryeqytet.

Buxheti i Komunës për 2025 ishte votuar në dhjetor të vitit të shkuar. E në muajt e 2025-s komuna punoi me buxhet të vitit paraprak. E Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar asnjë ligj tash e sa muaj, për shkak se nuk është konstituuar që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pasi zgjodhi kryetarin, tash po përballet edhe me një ngërç të ri, atë të zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.