Komuna e Prishtinës do të dorëzojë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të premten (sot). Çështja, siç ka mësuar KOHA, ka të bëjë me buxhetin e kryeqytetit.
“Ju njoftojmë se nesër, më 05 shtator 2025, në ora 10:00, Kryetari i Kryeqytetit, z. Përparim Rama, do të dorëzojë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, para objektit të Gjykatës Kushtetuese, Kryetari Rama së bashku me Nënkryetarin e Kryeqytetit, z. Shkëmb Manaj, do të mbajnë një konferencë për media”, u tha në njoftimin e Zyrës për Komunikim të Komunës së Prishtinës të enjten në mbrëmje.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë fillim të korrikut, kryetari Rama pati akuzuar Qeverinë se po bllokon qëllimshëm kryeqytetin. Ai pati thënë se ndalesa është e jashtëligjshme dhe e motivuar politikisht. Rama pati publikuar edhe një letër drejtuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati. Aty Rama pati thënë se problemi financiar i kryeqytetit është pasojë e mosfunksionalizimit të institucioneve qendrore, që nuk kanë bërë ndryshimet në Ligjin për Buxhetin 2025. Në letër, Rama kishte shkruar po ashtu se Ministria s’po ka gatishmëri për të gjetur zgjidhje.
E ministri Murati i pati quajtur gënjeshtra pretendimet e Ramës për bllokim. Sipas Muratit, buxheti komunal duhet të miratohet nga asambleja komunale më së voni deri me 30 shtator ashtu që pastaj të mund të bëhet pjesë e Ligjit të Buxhetit, i cili nga Qeveria dërgohet në Kuvend më së voni me 31 tetor. Sipas tij, tek pasi të konstituohet Kuvendi, e të zgjidhet qeveria e re, mund të iniciohet plotësim/ndryshimi i Ligjit të Buxhetit për ta përfshirë edhe projekt-buxhetin e Komunës së Prishtinës.
Përplasjet Komunë-Qeveri kanë qenë të vazhdueshme. Rama në disa raste ka akuzuar Qeverinë se po përpiqet qëllimisht t’ia ndalojë projektet në kryeqytet.
Buxheti i Komunës për 2025 ishte votuar në dhjetor të vitit të shkuar. E në muajt e 2025-s komuna punoi me buxhet të vitit paraprak. E Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar asnjë ligj tash e sa muaj, për shkak se nuk është konstituuar që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pasi zgjodhi kryetarin, tash po përballet edhe me një ngërç të ri, atë të zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.