Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Qeveria në detyrë dyshon për keqpërdorime me shpronësimet e pronave në Ferizaj

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli,

Ministria e Mjedisit ka ngritur dyshime për keqpërdorime në dy raste të shpronësimeve në Komunën e Ferizajt, duke vlerësuar se buxheti i shtetit është dëmtuar. Sipas ministres në detyrë, Fitore Pacolli, në zonat kadastrale Bibaj dhe Fshati i Vjetër janë konstatuar dallime të mëdha mes vlerësimeve institucionale dhe vendimeve gjyqësore, ndërsa për këto raste ka kërkuar hetim të plotë

Dyshime për keqpërdorime në dy raste të shpronësimit në Ferizaj, përkatësisht në zonën kadastrale Bibaj dhe në Fshatin e Vjetër ka ngritur ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli.

Në një konference për media të martën, Pacolli ka thënë se në këto dy zona janë gjetur mospërputhje të theksuara mes vlerësimeve institucionale, gjendjes në terren dhe vendimeve gjyqësore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas saj, në rastin e zonës kadastrale Bibaj, vlerësimi fillestar për këtë zonë ka qenë 32 euro për metër katror, por Gjykata Themelore në Ferizaj ka përcaktuar vlerë të re prej 90 eurosh për metër katror.

Pacolli ka thënë se rritja e vlerave është indikacion për keqpërdorim të parasë publike dhe përbën shkelje në zinxhir, gjë që sipas saj janë të involvuara institucionet dhe gjykatat.

“Ky është një rast shqetësues që lidhet me menaxhimin e parasë publike dhe me mënyrën se si po trajtohen proceset e shpronësimit në vendin tonë. Në rastin konkret, pra të kësaj parcele, shteti fillimisht ka bërë vlerësim profesional prej 32 eurosh për metër katror, një vlerë e bazuar në standarde dhe e krahasueshme me parcelat përreth. Por, ashtu siç e thashë edhe më lart, siç ka ndodhur më pas, vendimi gjyqësor ka rritur vlerën në mënyrë drastike, ku prej 32 eurosh për metër katror, në 90 euro për metër katror, pra trefishim i çmimit”, ka thënë Pacolli.

Rasti i dytë ka të bëjë me parcelën në Fshatin e Vjetër, ku Pacolli ka thënë se shtetit i duhet të paguajë 1 milion e 711 mijë euro.

“Po ashtu, ne kemi edhe një rast për të paraqitur këtu para jush, pra një rast të dyshimtë të tjetërsimit të pronës publike në komunën e Ferizajt. Bëhet fjalë për parcelën kadastrale 579-13, në zonën kadastrale Fshati i Vjetër, me sipërfaqe prej 3.51 hektarësh. Ekzistojnë dyshime të bazuara se kjo pronë publike është tjetërsuar mbi bazën e dokumentacionit të pamjaftueshëm për verifikim, me elemente serioze të dyshimit për falsifikim dhe parregullsi procedurale. Tjetërsimi është mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Komunale të Ferizajt, numër 608/96 të datës 03.09.1997, si dhe me aktvendimin numër 03-78/38-0720 të datës 07.06.2021, të lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës”, është shprehur ajo.

Pacolli nuk ka treguar se për çfarë janë shpronësuar këto parcela.

Sipas saj, duhet hetim i plotë nga organet e drejtësisë dhe verifikim i përgjithshëm i dokumentacionit që ka çuar deri te regjistrimi dhe trajtimi i kësaj prone. 

Koha i është drejtuar Gjykatës Themelore në Ferizaj lidhur me akuzat e ministres në detyrë, por gjatë ditës së martës nuk ka marrë përgjigje.