Balotazhi i së dielës ka mbyllur garën elektorale lokale me epilogun ku secila parti pretendon fitore. Harta politike ka marrë formë të re me pushtet të balancuar. Lëvizja Vetëvendosje, LDK, PDK dhe AAK kanë ndarë mes vete komunat kryesore, disa duke i ruajtur bastionet e disa duke i humbur ato
Pas balotazhit të mbajtur të dielën, të gjitha partitë në një mënyrë kanë shpallur fitore.
Rundi i parë më 12 tetor e edhe balotazhi i së dielës kanë prodhuar një hartë të re politike, me pushtet të balancuar në nivel lokal.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në shtatë komuna, më së shumti në historikun e saj prej kur merr pjesë në zgjedhjet lokale. Pasi fitoi në raundin e parë Podujevën, Shtimen dhe Kamenicën, në balotazh triumfoi edhe në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në balotazhin e zgjedhjeve lokale duke thënë se ata treguan pjekuri demokratike dhe i kontribuuan orientimit të politikave publike nëpër komuna.
“Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra. Tash do të qeverisim në shtatë komuna të Republikës, pra më shumë se kurdoherë më parë. Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve”, ka thënë Kurti.
Fitore në shtatë komuna ka arritur edhe LDK-ja, përfshirë në kryeqytet, ku do të qeverisë edhe për një mandat. Por ky subjekt humbi në bastionin e saj - Fushë-Kosovë dhe në Obiliq.
LDK-ja në rundin e parë fitoi Lipjanin e Istogun, ndërsa në balotazh Prishtinën, Pejën, Dragashin, Junikun e Vitinë.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, shtëpia e madhe e qytetarisë, dje ka fituar. Ka fituar në 7 komuna, përfshirë dhe garën pakrahasueshëm më kryesoren në vend, atë që e synojnë të gjithë, Kryeqytetin. Jemi parti e parë në Prishtinë pas 12 viteve; e fitorja dy herë radhazi këtu është shenjë. Pas rezultatit të fundit nacional, ky rezultat i djeshëm është sinjal i një force që qëndron, rritet e forcohet”, ka thënë Abdixhiku.
Partia Demokratike pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në rundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe Prizrenin, Kaçanikun dhe Vushtrrinë. Por e humbi pushtetin në Mitrovicën e Jugut.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se kjo parti u konfirmua si më e votuara.
“Partia Demokratike e Kosovës e ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit tonë. Me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë. Me 206 asamblistë të zgjedhur, mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend”, ka thënë Krasniqi.
I kënaqur me rezultatin është shfaqur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, partia e të cilit e ruajti pushtetin në pesë komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë.
“Dita e djeshme konfirmoi fuqinë politike dhe stabilitetin e Aleancës. Kemi triumfuar në 5 komunat ku kemi qeverisur, ndërsa do të jemi në bashkëqeverisje në mbi 10 komuna. Në kuvendet komunale, Aleanca përfaqësohet me 98 asamblistë”, ka thënë Haradinaj.
Lista Serbe pati fituar 9 komuna në raundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.
Ramiz Lladrovci ka fituar në Drenas qysh në rundin e parë, sikurse edhe Nisma në Malishevë. Në Mamushë, në balotazh fitoi KDTP-ja.