Zgjedhjet 2025

VV-ja e para në 24 komuna

Harta elektorale nëpër komunat e Kosovës është ngjyrosur pothuajse e tëra me të kuqe pas zgjedhjeve të së dielës, ku Lëvizja Vetëvendosje është subjekti kryesor në shumicën e komunave të populluara me shumicë shqiptare. Njohësit thonë se kjo është dëshmi se qytetarët e Kosovës në zgjedhjet nacionale votojnë për liderin

Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar forca kryesore në 24 komuna, përfshirë ato të cilat llogariten bastione të partive opozitare. Në disa prej tyre ka fituar me mbi 50 për qind, si në kryeqytet me mbi 52 për qind, Mitrovicë me 65 për qind. Mbi 50 për qind, ajo i ka fituar në Prizren e Gjakovë e Rahovec, e mbi 60 për qind në Vushtrri. VV-ja është e para edhe Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Lipjan, Obiliq, Podujevë, Ferizaj, Malishevë e Viti.

Partia Demokratike e Kosovës që u rendit e dyta sa i përket votës nëpër komuna është e para në Drenas e Skenderaj me mbi 50 për qind. E në Deçan forcë e parë ka dalë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Lista Serbe ka fituar shumicën e votave në 10 dhjetë komunat që popullohen kryesisht me serbë. LDK-ja që pësoi rënien më të madhe në këto zgjedhje, nuk ka dalë e para në asnjë komunë.

Analisti politik, Dorajet Imeri ka thënë se kjo fitore e VV-së është për shkak të liderit.

“Kjo jep një përgjigje - që qytetarët e Republikës votojnë për liderin. Ky është konstatimi.
Ata votojnë për kandidatin më të mirë. Nëse në zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosje ka pasur shtatë komuna që i fiton, tani heq komunat me shumicë serbe, dy komuna të rajonit të Drenicës një në Dukagjin dhe një të komuniteteve të pakicës turke - të gjitha komunat e tjera janë fituar nga Lëvizja Vetëvendosje. Me gjasë, për shkak se qytetarët e Kosovës votojnë për profilin e kandidatit për kryeministër dhe ky është faktori kryesor që e përcakton këtë hartë elektorale”, ka deklaruar ai.

Imeri ka shtuar se duhet analizuar faktorët që çuan në këtë fitore të Vetëvendosjes, tek i përmend edhe rrethanat që kanë mundur të jenë përcaktuese.
 

 

“Kishim një palë zgjedhje të jashtëzakonshme fer demokratike, me një rregullsi të pashpjegueshme aq më tepër për rajonin tonë. Do të thosha një palë zgjedhje model në kuptimin e plotë të fjalës. Një rezultat zgjedhor në anën tjetër, që është pritur të jetë i ngjashëm, por jo kaq i thellë për Lëvizjen e vendosjen”, ka thënë ai.

Sipas Ymerit rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk ndodh rëndom, jo për shkakun e faktorëve të brendshëm ose të jashtëm, por për shkak të vetë sistemit politik.

“Por çfarë ka ndodhur në këto palë zgjedhje vërtet duhet që të elaborohen më detajisht për të parë a është problem i opozitës, a është problem i qeverisjes, a është problem i faktorëve të tjerë të jashtëm, ndikimit të Serbisë, e kështu me radhë, dhe si reagim do të thosha gjithë popullor për të prodhuar një rezultat. A është i faktorëve të tjerë rrethanor: votat e diasporës, mungesa e profileve adekuate të partive opozitare, sidomos kandidatëve për kryeministra, një opozitarizëm i heshtur do ta quaja ose edhe në anën tjetër do të thosha një qasje tërësisht ndryshe të kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje në raport me bërjen e fushatës. Pra, këto janë disa nga çështjet që duhet t'i trajtojmë e të cilat e kanë përcaktuar këtë rezultat”, është shprehur ai.

Përkthyer në mandate, Lëvizja Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave ka siguruar 56 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike ka 23 ulëse, Lidhja Demokratike 15 ulëse, ndërsa AAK-ja ka siguruar 6 ulëse.

Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur në Kuvend për tetë ulëse, nga 48 sa i kishte.

Ndërkaq, PDK-ja e humbi një ulëse.

LDK-ja ka humbur pesë ulëse, nga 20 sa i kishte.

AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 ulëse. Kjo përllogaritje nuk i përfshin edhe votat me postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.

20 ulëset e tjera ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera joshumicë. Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas votimit të qeverisë, janë të domosdoshme 61 vota.