Punëtorët e KEK-ut kanë protestuar në Prishtinë me kërkesë për rritje pagash, ekzekutim të pagës së 13-të dhe nivelizim të pagave për punëtorët e sigurimit fizik. E në rast se këto kërkesa nuk u përmbushën, ata kanë paralajmëruar me hyrje në grevë dhe me bllokim të punës. Në KEK, janë të punësuar afro 3 mijë e 500 punëtorë. Paga mesatare e të punësuarve është afro 1 mijë euro në muaj
Hyrjen në grevë dhe bllokimin e punës e kanë paralajmëruar punëtorët e Korporatës Energjetike në rast se nuk u përmbushën kërkesat për rritje të pagave dhe për ekzekutim të pagës së trembëdhjetë.
Këtë paralajmërim ata e kanë bërë nëpërmjet protestës që e mbajtën para zyrave të KEK-ut, për të shprehur pakënaqësi për trajtimin e tyre financiar si dhe për kushtet e punës në termocentrale.
“Po që një vit gjendemi në gjendje katastrofale, kushtet që i kemi ne punëtorët e KEK-ut vetëm ata të burgosurit i kanë si ne njëjtë. Një rrogë vetëm për ekzistencë faktikisht asgjë më shumë. Sipas të gjitha shanseve, vetëm ajo është i vetmi shans për të hyrë në grevë dhe të bllokojmë, sepse e gjithë Kosova e ka nga ne dritën”, ka thënë punëtori Raif Pllana.
Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka theksuar se protesta e së premtes është ndërmarrë pasi që nuk kanë prodhuar rezultat negociatat me menaxhmentin e ndërmarrjes për çështjen e ngritjes së pagave.
“Thanë se kësaj radhe nuk po mundemi, po ua japim një bonus, e pranuam por u dakorduam që në fundvit të ndodhë kjo. Por në fundvit nuk po ndodh asgjë. Deri mbrëmë kemi negociuar dhe jemi takuar me bordin e menaxhmentit të KEK-ut, nuk ofruan asgjë. Arsyeja është e thjeshtë, keqplanifikimi dhe performanca e tyre, nuk është faji i këtyre punëtorëve që sot shpreh pakënaqësinë këtu”, ka deklaruar Llumnica.
Haxhi Kastrati, punëtor në termocentralin “Kosova A”, është ankuar se me pagat aktuale punëtorët mund t’i përmbushin vetëm nevojat minimale.
“Ne e shesim një megavat 29 euro e 50 centë, kurse ne në rrjet që d.m.th., konsumatori e paguan 120 euro kjo është gjë absurde. Me ngritjen e inflacionit ne po e shohim që nuk jemi askund me pagat tona për atë arsye kërkojmë vetëm pagesën e djersës tonë”, është shprehur Kastrati.
Në përmbyllje të protestës, punëtorët i bënë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që të ndërmarrë hapa urgjentë për përmirësimin e kushteve të punës dhe për respektimin e plotë të kontratës kolektive dhe të Ligjit të punës.
Në KEK, janë të punësuar afro 3 mijë e 500 punëtorë. Paga mesatare mujore e të punësuarve në KEK sipas të dhënave, Iniciativës “CorrWatch”, në vitin 2022, është afro 1 mijë euro.
Foto nga protesta - (Driton Paçarada)








