Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rreth 40 punëtorë në KEK ankohen se marrin shumë më pak sesa paga minimale

Protesta e punëtorëve të KEK-ut

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Vendimi i Qeverisë, sipas të cilit, prej 1 korrikut paga minimale është 500 euro bruto, nuk po respektohet. Dhjetëra punonjës privatë të angazhuar në KEK pretendojnë se po i marrin mbi 100 euro më pak. Nga kompania nuk kanë kthyer përgjigje e nga Sindikata e Sektorit Privat në Kosovë nuk kanë përjashtuar mundësinë që t’u drejtohen organeve kompetente

Blendina Veliqi

Prishtinë, 2 shtator - Rreth 40 punëtorë teknikë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) të angazhuar përmes kompanisë “Double I SH.P.K.” pretendojnë se pagat e tyre nuk po ekzekutohen sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për pagën minimale.

Punëtorja Elmaze Breznica, e cila ka folur edhe në emër të kolegëve të saj, ka thënë të mërkurën se ndonëse nga 1 korriku paga minimale është rritur në 500 euro bruto, atyre u janë ekzekutuar nga 350 euro neto, e do të duhej 456.5 euro.

“Sipas vendimit për pagën minimale nga 1 janari 2026 kur ka qenë 425, neve na kanë thënë 390 deri në muajin korrik, edhe na ka thirrur ai i kompanisë dhe na ka thanë që nuk mundem ma shumë me iu dhanë dhe na ka kthy në pagën 350 euro, ku është kontraktuar kompania private me kontratë deri në vitin 2027 me pagën 350 euro. Na kanë thanë që nuk kemi mundësi me iu pagu më shumë se 350 euro”, ka thënë ajo.

Breznica së bashku me dhjetëra punëtorë të tjerë kërkojnë paga ashtu siç parashihet me vendimin e Qeverisë.

“Kërkojmë që kjo pagë minimale të zbatohet në mënyrë të plotë dhe pa diskriminim për të gjithë punëtorët që plotësojnë kushtet për punë me orar të plotë”, ka thënë ajo.

Pos problemit me paga, Breznica është shprehur se punëtorët kanë telashe edhe me kontributet pensionale që, sipas saj, nuk po u paguhen me rregull.

KOHA ka kontaktuar menaxherin e kësaj kompanie, Ardian Hertica, lidhur me pretendimet e punëtorëve. Ai ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen në adresën elektronike të kompanisë, por deri në publikimit e tekstit, nuk ka kthyer përgjigje.

E kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, është shprehur se do përpiqen që të dialogojnë me kompaninë e nëse nuk gjejnë zgjidhje, do t’u drejtohen organeve kompetente.

“Në mënyrë retroaktive këta punëtorë duhet ta marrin pagën që nuk iu është paguar nga 1 janari dhe normal që iu premtova që së pari do të dialogojmë me kompaninë e pastaj me KEK-un dhe pastaj nëse nuk kemi ndonjë pajtueshmëri shpejt, atëherë ne në bazë të kompetencave tona do të shkojmë së bashku me inspektorë që ta verifikojmë se gjendja ka qenë këso farë dhe normal që në momentin që vërtetohet gjendja, nëse nuk bëhet ekzekutimi i këtyre pagave, sindikata merr për obligim që këtë lëndë ta përcjellë për gjykatë”, ka thënë Azemi.

Më 31 tetor të vitit të kaluar, Qeveria mori vendim që paga minimale të jetë 425 euro bruto duke filluar nga 1 janari 2026, ndërsa 500 euro bruto me efekt nga 1 korriku.