Arbëri

Punëtorët e KEK-ut protestojnë për rritje pagash

Protesta e punëtorëve të KEK-ut

Protesta e punëtorëve të KEK-ut

Foto: Driton Paçarada

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës kanë dalë të premten në protestë paqësore para zyrave qendrore të korporatës në Prishtinë, për të shprehur pakënaqësitë lidhur me kushtet e punës dhe trajtimin e tyre financiar. 

Me pankarta në duar dhe thirrje të qarta, ata kërkuan që rrezikshmëria në vendin e punës të njihet dhe të paguhet.

“Punëtorët e rrezikuar në punë, por rrezikshmëria nuk paguhet”, “Duam ngritjen e pagave, dhe ne duam jetën”, “Menaxhment, respekto ligjin e punës, paguaj vikendet për punëtorët me ndërrime”, janë vetëm disa nga thirrjet e punëtorëve që u dëgjuan gjatë protestës.

Punëtorët i bënë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që të ndërmarrë hapa urgjentë për përmirësimin e kushteve të punës dhe respektimin e plotë të kontratave kolektive dhe ligjeve të punës. 

Kryetari i Sindikatës së Re KEK, Nexhat Lumnica, në emër të punëtorëve ka kërkuar edhe pagën e 13-të për të cilën tha se askush më shumë se ata nuk e meritojnë. 

“Kush më shumë se na meriton pagën e 13-të. Derisa kërkesa për rritje pagës është e kamotshme, paga nuk është rrit. …ne sot jemi këtu duke dëgjuar premtime për gjithë sektorin publik që paguhen nga taksapaguesit e Kosovës, nga djersa jonë, që e marrin pagën e 13 e mos t’ia japësh punëtorit të KEK-ut pagën e 13 është më shumë se e turpshme. Sot e shprehim pakënaqësinë në këtë formë, por kaq të qetë nuk do të jemi herë të tjera. Tek e fundit kompania nuk është e këtyre këtu, por e punëtorëve të KEK-ut dhe gjithë Kosovës”, tha ai.