LAJMET E MBRËMJES

PSRK: Droga vinte nga Amerika Latine e Irani, përpunohej në Kosovë e shitej në BE

Policia e Kosovës

22 të arrestuarit një ditë më parë nën dyshimet për trafikim me narkotikë Prokuroria i bënë përgjegjës së kanë vepruar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të organizuar kriminal, me shtrirje në tri kontinente. Sipas prokurorit special, Fatos Ajvazi, drogat e llojit kokainë dhe heroinë përpunoheshin e paketoheshin nga ky grup në Kosovë e si destinim kishin tregun evropian. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se e ka përjashtuar aktivistin që u arrestua në këtë operacion.

Të mërkurën është mbajtur seanca dëgjimore për arrestimin e 22 të dyshuarve për trafikim të narkotikëve. Prokuroria pretendon që ka prova të mjaftueshme se të dyshuarit kanë vepruar në kuadër të një organizimi kriminal ndërkombëtar.

Prokurori Special, Fatos Ajvazi, ka thënë që lidhjet kriminale të këtij grupi shtrihen në 3 kontinente.

“Aktiviteti i këtij grupi kriminal është realizuar në atë mënyrë që narkotiku është trafikuar nga shtetet e Amerikës Latine, nga Irani përmes Turqisë është sjellë në Kosovë. Pastaj, në Kosovë është bërë përpunimi apo përzierja e këtij narkotiku dhe pastaj është trafikuar në shtetet e Bashkimit Evropian”, tha Ajvazi. 

Ajvazi ka theksuar se kanë fakte se drogat e llojit kokainë dhe heroinë në Kosovë përpunoheshin e paketoheshin para se të niseshin për vendet e BE-së përmes veturave.

“Është faktuar që ky grup ka pasur laboratorë të ndryshëm, në pjesë të ndryshme të Kosovës, kryesisht nëpër podrume ku e kanë bërë përzierjen e këtij narkotiku me substanca të ndryshme, qoftë për ta shtuar sasinë apo qoftë për ta presuar apo ripaketuar dhe më pas, përmes rrugëve të transporteve, qoftë transport të mallrave veturave, përmes bunkerëve që janë instaluar në këto vetura, narkotiku ka arritur të transportohet nëpër shtete të ndryshme”, tha Ajvazi. 

Ka shtuar se brenda 29 veturave të sekuestruara kanë hasur në bunkerë të improvizuar që shërbenin për shpërndarjen e drogës në Evropë.

E për njërin nga 22 të dyshuarit, deputeti i Partisë Demokratike, Rashit Qalaj, ka thënë se është i afërt me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kjo, sipas tij, dëshmon lidhjen e Vetëvendosjes me krim të organizuar.

“Njëri që qëndron afër ministrit të Brendshëm z.Sveçla dhe pastaj po ashtu qëndron afër ndaj figurave të ndryshme të partisë në pushtet. Dhe kjo nuk është rastësi. Pra, Shemsi Bahtiri është hetuar edhe në vitin 2019 për gjëra të njëjta”, tha Qalaj. 

E përmes një reagimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka përshëndetur aksionin e Prokurorisë dhe Policisë, tek e ka konfirmuar që njëri nga të dyshuarit ka qenë pjesë e kësaj partie, por thanë se kanë marrë masa.

“Në këtë mënyrë, për korrektësi, në përputhje me Statutin dhe rregullat e brendshme, Komisioni ynë disiplinor ka marrë vendim për largimin e personit me emrin e njëjtë. Ky vendim qëndron në fuqi deri në sqarimin e verifikimin e plotë nëse bëhet fjalë për personin e njëjtë me atë të organeve të drejtësisë”, tha Vetëvendosje. 

Nga operacioni antidrogë i së martës u arrestuan 22 persona, u sekuestruan 29 vetura dhe u ngrinë gjysmë milioni euro.

Ky aksion u realizua në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Gjilan, ku u bastisën 47 lokacione dhe u ndihmua edhe nga Agjencia Evropiane e Policisë.