Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rigjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Istog, Çaslav Joliq. Prokuroria ka kërkuar që mospërputhjet të trajtohen si normale shkaku i përjetimeve të rënda të dëshmitarëve gjatë luftës. Prokurori Ilir Morina ka kërkuar dënimin e të akuzuarit, meqë siç ka thënë dëshmitë tregojnë fajësinë e tij për keqtrajtim, teksa mbrojtësi i Joliqit ka kërkuar lirimin e tij
Prokuroria Speciale në fjalën përfundimtare në rigjykimin e Çasllav Joliq, i akuzuar për krime lufte, ka kërkuar të martën që traumat dhe koha e kaluar që nga përfundimi i luftës të merren si faktorë që i turbullon rrëfimet e dëshmitarëve.
Joliq akuzohet për torturë e keqtrajtim, si krime lufte në rajonin e Istogut më 1999.
Prokurori special Ilir Morina ka deklaruar se tash është koha të vihet drejtësia në vend për viktimat e këtij krimi mizor.
Morina ka thënë se në rigjykim janë sqaruar vërejtjet e Apelit, tek ka theksuar se Joliqi ka kryer krim lufte duke ndihmuar dhe mundësuar kryerjen e këtyre krimeve, gjë që e ka njohur edhe Tribunali për ish-Jugosllavi në Hagë.
“Me saktësi mund të përcaktohet se ata vepronin si grup dhe e torturonin vazhdimisht popullsinë civile që nuk ishte e përfshirë në luftë. Të pandehurit kanë marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të vetëdijshme në aktin kolektiv të dhunës dhe secili prej tyre ka kontribuuar në realizimin e rezultatit final të dëmtimit fizik të viktimave Malsia, Ferati e Curri”, ka thënë prokurori special Morina.
Edhe Dhomat e Specializuara në aktgjykimin e Themelores për Salih Mustafën e kanë arsyetuar mungesën e koherencës në dëshmitë e dëshmitarëve me kohën e gjatë të kaluar që nga lufta dhe ngjarjet traumatike që i kanë kaluar ata.
E prokurori Ilir Morina është bazuar tek aktgjykimet e Tribunalit për ish-Jugosllavi, ku është konstatuar se thelbi i dëshmive është me rëndësi.
“Kontradiktat e vogla në kujtesë nuk e zbehin vërtetësinë e përvojës së tyre, nuk e mohojnë realitetin e vuajtjeve të përjetuara dhe të dokumentuara... Për më tepër në një rast tjetër thekson: vërtetimi nuk kërkon që rrëfimet e dëshmitarëve të jenë identike në të gjitha aspektet. Çdo dëshmitar paraqet atë që ka parë nga këndvështrimi i tij në kohën e ngjarjes”, ka thënë Morina.
Mbrojtësi i Joliqit, avokati Miodrag Bërklaq, ka thënë se jokoherenca e dëshmive të dëshmitarëve, sidomos e dëshmitarit Zef Malësiaj – e bëjnë dëshminë e tij të pabesueshme.
“A e bazoni aktgjykimin ku e dënoni për shembull qysh u thanë. Katër herë e ndërron deklaratën. Në qoftë se ishte bërë edhe një gjykim, e kishte dhënë edhe deklaratën e pestë. Zefi, çfarë përshtypje e ka lënë para jush?”, ka thënë avokati Bërklaq.
Ai i ka kërkuar gjykatës të mos e besojë as deklaratën e Nexhmedin Currajt.
“Të gjitha këto tregojnë se ai shpik gjëra dhe nuk janë të nevojshme. Pyetja është a ka qenë Çaslavi dhe çfarë ka bërë ai dhe jo të bësh kombinime se ‘vallah ishte Çaslavi e s’ishte Çaslavi’, po më rrahën jashtë veture, më rrahën brenda veturës e kështu me radhë. Kjo tregon se as ky s’është dëshmitar kredibil”, ka thënë ai.
Çaslav Joliq është dënuar me tetë vjet burgim në aktgjykimin e shpallur më 10 qershor 2024.
Vitin e kaluar, Apeli e ka kthyer këtë rast për rigjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
E shpallja e aktgjykimit të dytë të Themelores për këtë rast është caktuar për 23 maj.