LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria kërkon dënimin e Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, mbrojtja lirimin

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dhënë fjala përfundimtare në rastin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe Muharrem Ramës, të cilët po akuzohen se më 2012 kanë kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritro Kadolli, të cilit i kanë kërkuar që t’ua jap 30 mijë euro ose një “BMW X5”. Prokurorja e rastit, Eliza Rama, ka kërkuar dënimin e dy të akuzuarve. Ndërsa pala mbrojtëse ka kërkuar lirim nga akuza

Lajmërimi në polici i Muharrem Ramës lidhur me një zarf të zi me plumba, një mesazh kërcënues, dhe raporti i Agjencisë së Forenzikës së vitit 2012 janë provat e reja që janë administruar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në seancën përfundimtare për rastin e kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademi, dhe Muharrem Ramës.

Ademi dhe Rama po akuzohen se më 2012 kanë kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritro Kadolli, të cilit ia kanë kërkuar që t’ua japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”.

Prokurorja e rastit, Eliza Rama, ka thënë se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë më 19 maj të vitit 2019, duke i propozuar gjykatës që pas administrimit të provave dy të akuzuarit, Ademi dhe Rama, t’i dënojë sipas ligjit.

“Si në fjalën përfundimtare ashtu edhe gjatë shqyrtimit konsiderojmë se është vërtetuar përtej çdo dyshimi se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen siç është detyrimi, siç është pika e parë e aktakuzës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, nga provat që janë administruar, vërtetojnë veprimet që janë në këtë vepër penale.

“Pa mëdyshje të akuzuarit Ademi dhe Rama kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen pasi që sipas saj, tërë veprimet e ndërmarra nga të akuzuarit plotësojnë figurën e veprës penale për të cilën ngarkohen”, ka thënë ajo.

Sipas pikës së parë të aktakuzës, Ademi dhe Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore korrik - shtator të vitit 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar viktimën Dritëro Kadolli, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjë përfitim të padrejtë në shumën prej 30 mijë euro apo një veturë të tipit “BMW X5”. Vetura sipas Prokurorisë, pretendohej më pas t’i dorëzohej Sami Hamitit, ish-kryesues i Asamblesë Komunale të Prishtinës, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zonë e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”.

Pika e dytë e aktakuzës thotë se Ademi dhe Rama akuzoheshin për ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje.

Avokati i të akuzuarit Ademi, Fis Murati, ka thënë se aktakuza është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat materiale dhe formale.

“Ndjekja për veprën penale ‘Detyrim’ është parashkruar më 12 shtator të vitit 2022 dhe se për veprën penale që akuzohet klienti im, sipas Kodit të Përkohshëm Penal, kërkon së paku tre persona për ta kryer të njëjtën e që në rastin konkret kemi vetëm dy të akuzuar”, ka thënë Murati.

Ai propozoi që i akuzuari Ademi të lirohet nga aktakuza.

Edhe avokati i Ramës, Ramiz Krasniqi, ka thënë se me këtë rast mungon elementi thelbësor i veprës penale për çka ngarkohet i akuzuari Rama pasi, sipas tij, nuk ka grup për kryerjen e veprës penale.

“Mbetem pranë fjalës që keni me shkrim, propozoj aktgjykim lirues, sepse i kemi vetëm dy persona dhe për paragrafin 1 është parashkruar vepra penale’”, ka thënë Krasniqi.

Gjykata të mërkurën pritet të shpallë vendimin ndaj dy të akuzuarve. Për rastin e njëjtë Themelorja më 5 korrik 2019 i kishte shpallur Ademin dhe Ramën fajtorë për veprën penale detyrim në tentativë. Ademi ishte dënuar nga shkalla e parë me nëntë muaj burgim efektiv, kurse Rama me një vit burg efektiv.

Për veprën penale të ushtrimit të ndikimit ishte shpallur aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.

Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi dënimin e shkallës së parë. Por, të pakënaqur me këto aktgjykime, mbrojtësit e të akuzuarve i ishin drejtuar me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë Gjykatës Supreme.

Lidhur me këtë kërkesë Supremja në korrik të vitit 2020 ka vendosur që t’i aprovojë si të bazuara të njëjtat dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim në shkallën e parë.