Njësia nacionale për Siguri Kibernetike e Kosovës (KOS-CERT) ka njoftuar se është duke i trajtuar rastet që janë raportuar gjatë ditëve të fundit lidhur me kompromentimin e llogarive në aplikacionin WhatsApp.
KOS-CERT ka njoftuar se është në kontakt edhe me kompaninë Meta për t’i analizuar rastet e raportuara e për të identifikuar mënyrat dhe mekanizmat e përdorur për kompromentimin e llogarive si dhe për të ndërmarrë masat e nevojshme.
Ditëve të fundit janë raportuar një valë sulmesh kibernetike dhe vjedhjesh së llogarive të WhatsApp.
KOS-CERT ku ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe zbatimin e masave të sigurisë.
“Deri në përfundimin e analizave, KOS-CERT u rekomandon qytetarëve kujdes të shtuar dhe zbatimin e këtyre masave të sigurisë: Mos e ndani me askënd kodin e verifikimit të WhatsApp (OTP) të pranuar përmes SMS-it apo kanaleve të tjera; Aktivizoni verifikimin me dy hapa (Two-Step Verification) në llogarinë tuaj WhatsApp; Kontrolloni pajisjet e lidhura (Linked Devices) me llogarinë tuaj. Nëse identifikoni një pajisje që nuk e njihni ose nuk e keni autorizuar, shkëputeni menjëherë; Mos klikoni në vegëza të dyshimta të pranuara përmes SMS-it, email-it, WhatsApp-it apo platformave të tjera, veçanërisht kur kërkohet verifikimi i llogarisë ose dhënia e të dhënave personale; Kushtojini vëmendje njoftimeve për regjistrimin e llogarisë në një pajisje tjetër. Nëse pranoni një kod ose njoftim për një tentativë regjistrimi që nuk është iniciuar nga ju, mos e ndani kodin dhe mos e autorizoni kërkesën; Mbroni edhe adresën e email-it të lidhur me llogarinë, duke përdorur një fjalëkalim unik dhe autentikim me shumë faktorë (MFA), kur kjo mundësi ofrohet; Mos ndani fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna personale, edhe kur kërkesa duket se vjen nga një kontakt i njohur. Llogaria e personit që ju kontakton mund të jetë gjithashtu e komprometuar”, ka njoftuar KOS-CERT.
KOS-CERT ka rekomanduar qytetarët se nëse kanë dyshime se llogaria iu është kompromentuar atëherë të përdorin vetëm mekanizmat dhe kanalet zyrtare të WhatsApp për rikuperimin e llogarisë dhe të raportojnë identitetin te KOS-CERT.
“KOS-CERT do të vazhdojë monitorimin dhe analizimin e situatës, si dhe koordinimin me institucionet tjera, operatorët dhe partnerët relevantë, me qëllim të sqarimit të plotë të rasteve dhe ndërmarrjes së masave të nevojshme. Për çdo zhvillim të rëndësishëm, publiku do të informohet përmes kanaleve zyrtare të KOS-CERT”, thuhet nga KOS-CERT.
Lidhur me rastin e sulmeve ka shkruar edhe Telekomi i Kosovës.
“Sulmet për komprometimin e llogarive Business të platformës WhatsApp po ndodhin që kohë të gjatë dhe në vende të ndryshme të botës. Telekomi i Kosovës konfirmon se është ne bashkëpunim të përditshëm dhe intensiv me KOS-CERT dhe Meta (Whatsapp) që t'u dalë në ndihmë konsumatorëve që t’u kthehen llogaritë e tyre të komprometuara në WhatsApp. Për të gjithë konsumatorët tanë që janë ballafaquar me bllokim të llogarive, i ndiqni rekomandimet nga KOS-CERT si dhe kontaktoni në numrat tanë kontaktues”, thuhet nga Vala.