Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Mbrëmje e vështirë për Kosovën, mposhtet nga Austria në Vjenë

Loja

Përkrahja nga tribunat ishte “e nivelit të lartë” por jo edhe paraqitja në fushën e blertë. 

Mbrëmja e së dielës ishte e vështirë për ekipin përfaqësues së Kosovës në futboll. Kosova pësoi 3:1 nga Austria në stadiumin “Ernst Happel” në Vjenë. Thuajse gjysma e stadiumit ishte e mbushur me tifozë shqiptarë. Por ata nuk u shpërblyen nga lojtarët “dardanë” në fushë. 

Austriakët kanë dominuar, kanë shënuar golat në momente të rëndësishme dhe kanë festuar në fund. Ndeshja i takoi xhiros së dytë të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. 

Humbja erdhi vetëm tri ditë pasi Kosova fitoi 1:0 ndaj Irlandës në Prishtinë.

Por ndeshja mund të kishte rrjedhë tjetër sikur Vedat Muriqi të realizonte në minutën e gjashtë. Megjithatë, i vetëm përballë portierit austriak, Muriqi gjuajti lart mbi portë. 

Austria e shënoi golin e parë në minutën e 23-të. David Affengruber realizoi nga zona, pasi fitoi një duel në ajër me lojtarët e Kosovës. Goli u konfirmuar pas rishikimit të VAR-it.

Kosova e kërkoi golin e barazimit, por megjithatë e pësoi edhe një gol tjetër. Në minutën e dytë shtesë në pjesën e parë, austriakët realizuan kundërsulm shembullor. Lojtarët e Kosovës ishin plotësisht të papërgatitur, ndërsa Junior Adamu shënoi për 2:0.

Franco Foda vendosi të bëjë tri zëvendësime për pjesën e dytë. Edon Zhegrova luajti në vend të Ermal Krasniqit, Milot Avdyli në vend të Baton Zabërgjës dhe Valmir Matoshi në vend të Veldin Hoxhës. Por ishin austriakët që shënuan sërish. Pas një ndërhyrje të zbehtë në mbrojtje e më pas edhe nga portieri Aro Muriq, Carney Chukwuemeka shënoi për 3:0 në minutën e 61-të.

Aro Muriq u lëndua në atë aksion dhe u zëvendësua me Amir Shaipin. Kosova luajti pa liderin e mbrojtjes, Albian Hajdari, që ishte i lënduar. Në gjithë grumbullimin mungojnë Florent Muslija dhe Elvis Rexhbeçaj. Mungesat janë vërejtur te Kosova, ndonëse edhe Austria kishte mungesa të rëndësishme.
Golin, Kosova e shënoi nga penalltia në minutën e 83-të. Edon  Zhegrova realizoi nga pika e bardhë. Penalltia u shkaktua për ndërhyrje në Valmir Matoshin. 

Kosova kishte iniciativën në pjesën e dytë, por pa rrezikuar seriozisht epërsinë e Austrisë. Austria ka luajtur në Botëror dhe llogaritet favorite e grupit. Të enjten fitoi po me 3:1 ndaj Izraelit.

Austria ka pasur 11 tentime gjithsej, për dallim nga Kosova që i kishte gjashtë. Goditje që shkuan në kornizë të portës vendasit i kishin pesë, kurse të përzgjedhurit e Fodas katër.

Te Kosova nuk ka kohë për të komentuar shumë disfatën në Vjenë. Të enjten në Debrecen të Hungarisë, Kosova luan ndaj Izraelit. Pas një jave është revanshi me Austrinë në “Fadil Vokrri”.

 


82' - Edon Zhegrova ka shënuar gol për Kosovën nga pika e bardhë. 
Penalltinë e fituar nga Valmir Matoshi, në gol e shndërroi futbollisti i Juventusit në minutën e 82-të. Rezultati është 3:1 për Austrinë.

 

 

65' - Portieri i parë i Kosovës, Arijanet Muriq, ka pësuar lëndim në momentin kur Kosova e pranoi golin e tretë ndaj Austrisë. Ai është ankuar pasi u shënua goli dhe u zëvendësua nga Amir Shaipi. Shaipi është pjesë e skuadrës Castellon, që luan në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

61’  - Austria e ka shënuar edhe golin e tretë në ndeshjen ndaj Kosovës. Tre minuta pasi u inkuadrua në lojë si zëvendësues, Carney Chukwuemeka që paraqitet te Dortmundi, realizoi nga afërsia pas tentimit të dytë. Pas një harkimi në zonë, portieri Arijanet Muriq e la topin në zonë nga ku edhe përfitoi Chukwuemeka. Austria po udhëheq 3:0.

 

 


51’ -  Kosova e ka nisur mirë pjesën e dytë. Vedat Muriqi provoi me kokë pas harkimit të Edon Zhegrovës. Portieri austriak nuk u mposht. Nga topi i kthyer, Muriqi u mundua të gjente bashkëlojtar në zonë, por i pasuksesshëm ishte tentimi i tij. Rezultati mbetet 2:0 për Austrinë. 

 


Përfundon pjesa e parë - Kosova është duke humbur në Vjenë nga Austria pas pjesës së parë. 
“Dardanët” kishin rast të artë me Vedat Muriqin. 

Pas atij momenti, Austria mori kontrollin e lojës dhe realizoi dy gola. 

Në minutën e 23-të shënoi me David Affengruber, ndërsa për 2:0 realizoi Junior Adamu, në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.


45+2' - Austria e ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Kosovës në Vjenë. 

Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Austria krijoi kundërsulm të shpejtë, të cilin në gol e shndërroi Junior Adamu. Patrick Wimmer ishte asistues. Adamu në këtë ndeshje e zëvendëson të lënduarin dhe kapitenin Michael Gregoritsch. Austria po udhëheq 2:0. 


23 -  Austria kalon në epërsi ndaj Kosovës. David Affengruber realizoi me kokë pas asistimit të Romano Schmidit. Goli u pranua pasi u shikua me VAR. Rezulati është 1:0. 


6 - Kosova ka lëshuar rast të artë për të kaluar në epërsi ndaj Austrisë.
Në minutën e gjashtë Muriqi doli i vetëm përballë portierit, por gjuajti lart mbi portë. Rezultati mbetet 0:0. Ndeshja i takon xhiros së dytë të Ligës së Kombeve. 

Rangnick thotë se ndaj Kosovës është vështirë të luhet

1 muaj më parë / 27 sht 2026 21:17
Ragnick

Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, ka vlerësuar Kosovën. Por ai ka theksuar se ekipi tij fitoi me meritë ndaj “dardanëve”.

Austria e mposhti Kosovën të dielën në Vjenë me rezultat 3:1, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së 
Kombeve. Rangnick thotë se Austria e kishte ndeshjen në kontroll gjatë gjithë kohës. 

“E dinim se do të luajmë ndaj një ekipi të fortë dhe me përkrahje të madhe nga tribunat. Ishte një nga paraqitet më të mira energjike që kemi pasur në vitet e fundit”, ka thënë Rangnick.

Ai ka theksuar se Kosova “është skuadër e vështirë për të luajtur kundër tyre”.

“E kam parë ndeshjen ndaj Irlandës. E kanë merituar fitoren. Do të duhej të shënonin më shumë gola”, ka theksuar tekniku i austriakëve.

Ai ka theksuar se Austria synon vendin e parë në Grupin B3.

“Synimi është vendi i parë, por e rëndësishme është se si do të luajmë. Kjo për është e rëndësishme”, ka thënë Rangnick.

Vojvoda: Është humbje e gjithë ekipit

1 muaj më parë / 27 sht 2026 21:00
Foda- Vojvoda

Mbrojtësi Mërgim Vojvoda, ka thënë se “është humbje e ekipit” jo vetëm e një lojtari.

Kosova humbi 3:1 nga Austria të dielën në Vjenë.

“E kemi ditur se janë të fortë në kundërsulme. U kemi lënë hapësirë lojtarëve të tyre. Por duhet të harrojmë këtë humbje dhe të shkojmë për fitore në Hungari ndaj Izraelit. Presim vendin e parë në këtë grup. Albian Hajdari është lojtar i rëndësishëm, si gjithë të tjerët. Por secili lojtar duhet të tregojë se është gati. Është humbje e ekipit, jo faji një lojtari apo tjetrit. Është humbje e gjithë ekipit”, ka thënë Vojvoda.

Foda tregon se ku dështoi Kosova

1 muaj më parë / 27 sht 2026 20:59
Foda

Selektori i Kosovës, Franco Foda, është shprehur i dëshpëruar me humbjen nga Austria. 
Kosova të dielën u mposht në Vjenë 3:1 nga Austria, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. 

Foda në konferencën e mbajtur për shtyp pas ndeshjes deklaroi se skuadra duhet të përmirësohet në mbrojtje për ndeshjet e ardhshme. 

“Nuk ishim në lojën tonë. Fillimi ka qenë i mirë për ne. Është dashur që në fillim të udhëheqim 1:0. Nuk kemi pasur mbrojtjen e mirë as pas 2:0. Kemi pasur raste por që nuk i kemi shfrytëzuar. Skuadra gjatë gjithë kohës nuk ka hequr dorë.  Austria ka bërë punë të mirë. Kur kemi humbur një apo dy topa, Austria ka shfrytëzuar rastet. Shpresa kemi gjithmonë. Edhe sot kemi pasur shpresa që do të fitojmë. Është më rëndësi organizimi i mbrojtjes. Në këtë drejtim duhet të punojmë. Duhet të përmirësohemi”, u shpreh Foda.

Zhegrova: Nuk ishte nata jonë

1 muaj më parë / 27 sht 2026 20:55
Edon Zhegrova

Edon Zhegrova ka thënë se “nuk ishte nata” e Kosovës në Vjenë.

Kosova e humbi 3:1 ndeshjen ndaj Austrisë të dielën mbrëma në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.

“Mendoj se sonte nuk ishte nata jonë. Gabuam sonte, por ka përfunduar gjithçka. Do të shohim gabimet ku i kemi pasur për të parë për ndeshjen e radhës”, ka thënë Zhegrova, i cili në fushë u inkuadrua në pjesën e dytë. “Lojën e fundit kam luajtur nga minuta e parë. Jam në gjendje të mirë fizike, kisha një shqetësim, por asgjë nuk ishte serioze. Austria ishte më e mirë se ne sot”.

Zhegrova tha se goli i shënuar nga pika e bardhë nuk kishte rëndësi.

“Nuk është me rëndësi goli, e rëndësishme ishte që dëshironim të shënonim fitore. Nuk kam çka të them më shumë”, ka thënë Zhegrova.

Asllani shfaqet i dëshpëruar dhe i shkurtër në përgjigje

1 muaj më parë / 27 sht 2026 20:49
Fisnik Asllani

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani ka qenë shumë i shkurtër në përgjigjet pas ndeshjes.

I pyetur nëse ishte mirë fizikisht të paraqitej nga fillimi në ndeshjen kundër Austrisë, Asllani tha se “Unë jam fit”. “Unë jam në gjendje për të luajtur”, ka thënë Asllani.

Ai është përgjigjur vetëm me “Po” nëse ishte pajtuar me vendimin e trajnerit për ta aktivizuar si rezervist.

I gjatë nuk ishte edhe në përgjigjen sa i përket gjuajtjes së penalltisë.

Asllani është parë duke insistuar që ai të ishte gjuajtësi i penalltisë. Por në fund, penalltinë e gjuajti Zhegrova, i cili ishte i saktë.

“Ka dashur të shutoj dhe ka dhënë gol”, është shprehur Asllani.

Sulmuesi i Hoffenheimit ka pranuar se Austria ishte në fushë më e mirë.

“Besoj se Austria ka qenë ekip më i mirë. Ditë të tilla ka në futboll dhe duhet të mundohemi të fitojmë ndaj Izraelit. Austria ka qenë kundërshtar më i fortë se Irlanda. Shihej kualiteti i tyre në fushë, ne dhamë maksimumin, por tash duhet të përgatitemi për ndeshjen ndaj Izraelit”, ka thënë Asllani.
 

Muriqi merr përgjegjësinë për rastin e humbur dhe disfatën

1 muaj më parë / 27 sht 2026 20:36
Vedat Muriqi

Kapiteni i Kosovës, Vedat Muriqi, ka marrë përgjegjësi për rastin e humbur në minutën e gjashtë të ndeshjes ndaj Austrisë. Muriqi pranon se ndeshja mund të kishte rrjedhë tjetër sikur të realizonte gol. I vetëm përballë portierit austriak, Muriqi gjuajti lart mbi portë. Kosova pësoi 3:1.   

“E kemi ditur se do të jetë kundërshtar i fortë. Kishim përkrahjen e 10-15 mijë shqiptarëve. Kisha rastin dhe po të shënoja gol, do të bisedonim ndryshe. E marr përgjegjësinë për rastin .Si kapiten më vjen keq”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes. 

Ai ka thënë se rrugëtimi i Kosovës në Grupin B3 të Ligës së Kombeve do të varet nga ndeshja kundër Izraelit në Debreçen të Hungarisë të enjten e ardhshme.

“E kemi një lojë që mund të jetë përcaktues për rrugën tonë dhe ku do të përfundojmë në grup. Kjo lojë ka përfunduar, duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës. Kemi pak kohë për rigjenerim dhe na pret një kundërshtar që luan futboll të mirë”, është shprehur Muriqi. 

Ai ka theksuar se Kosova e pranoi golin e dytë në momentin më të keq. 

“Po ta mbyllnim ndeshjen në disavantazh 1:0, do të ishte më ndryshe. Por ramë, gjë që nuk është dashur të ndodhë. E marrë përgjegjësinë si kapiten për rastin dhe ndeshjen. Besoj në bashkëlojtarët dhe ekipin. Ndeshja ndaj Izraelit në Debreçen do të jetë përcaktues. Por shpresoj në fitore në Hungari”, ka thënë Muriqi.

Rangnick: E kishim ndeshjen nën kontroll

1 muaj më parë / 27 sht 2026 20:27
Ragnick

Selektori i Austrisë, Ralf Rangnick, është ndarë i kënaqur me fitoren ndaj Kosovës. 

Kosova të dielën u mposht në Vjenë 3:1 nga Austria, në kuadër të Grupit B3 të Ligës së Kombeve. 
Rangnick thotë se Austria e kishte ndeshjen në kontroll gjatë gjithë kohës. 

“Të gjithë në stadium e panë energjinë tonë pozitive sot; ishte vërtet mirë. Nuk ka nevojë të veçojmë askënd. E patëm ndeshjen nën kontroll pothuajse gjatë gjithë kohës. Edhe në stërvitje ka një energji të mirë tani, le ta ruajmë këtë ritëm”, u shpreh 68-vjeçari Rangnick.

Ndërkohë mbrojtësi David Affengruber që e realizoi golin e parë në ndeshje u shpreh i lumtur me fitoren ndaj Kosovës. 

“Ishte një paraqitje shumë e mirë. Në fakt, donim ta mbanim portën të paprekur; fatkeqësisht, shkaktova një penallti që, sipas mendimit tim, ishte disi e 'lehtë'. Megjithatë, ishte një paraqitje e mirë. Të tjerët do të duhet të gjykojnë nëse kjo më jep mundësinë për paraqitje të tjera, por unë dhashë gjithçka nga vetja dhe jam i lumtur për fitoren”, ka thënë Affengruber.

Katër ndryshime tek Austria

1 muaj më parë / 27 sht 2026 16:55
Ralf Ragnick

Pas fitores 3:1 ndaj Izraelit në ndeshjen e parë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve, Austria ndaj Kosovës do të paraqitet me katër ndryshime në formacion. 

Kështu ka vendosur përzgjedhësi Ralf Rangnick. 

Christian Zawieschitzky do të jetë në portë dhe do të debutojë ndaj Kosovës. 
David Affengruber do të luajë titullar në vend të Phillip Lienhart në mbrojtje. Në mesfushë titullar është Paul Wanner, ndërsa në sulm në vend të të lënduarit Michael Gregoritsch, titullar do të jetë Junior Adamu.

Formacioni i Austrisë: 
Zawieschitzky, Veratschnig, Affengruber, Danso, Wober, Schlager, Seiwald, Wimmer, Wanner, Schmid, Adamu

Kosova publikon formacionin, Zhegrova në stol

1 muaj më parë / 27 sht 2026 16:50
Edon Zhegrova

Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Austrisë. 
Kosova nga ora 18:00 luan në Vjenë ndaj Austrisë, në ndeshjen që i takon Grupit B3 të Ligës së Kombeve.

Nga minuta e parë do të luajë mbrojtësi Ron Raçi, që e zëvendëson Albian Hajdarin e lënduar.
Ndërkohë në vend të Edon Zhegrovës në krahun e djathtë do të startojë Ermal Krasniqi. Zhegrova mbetet në stol.

Në portë do të jetë Arijanet Muriq. Mbrojtja përbëhet me Lumbardh Dellovën, Ilir Krasniqin, Raçin, Dion Gallapenin dhe Mërgim Vojvodën.

Në mesfushë janë Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha.

Sulmit i prijnë Vedat Muriqi, Ermal Krasniqi dhe Baton Zabërgja.