Korporata Energjetike e Kosovës i ka hapur aplikimet për tenderin mbi 137 milionësh për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 të termocentralit “Kosova A”. Për këtë tender janë paraqitur pesë oferta, të cilat do të trajtohen gjatë fazave të ardhshme. Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtues të ndërmarrjes e kanë theksuar rëndësinë për investimet në këtë njësi, e cila është në operim për më shumë se 50 vjet
Pesë kompani kanë aplikuar për tenderin mbi 137 milionësh të Korporatës Energjetike (KEK) për rehabilitimin dhe modernizimin e njësisë A3 të Termocentralit “Kosova A”.
Ofertat janë hapur të enjten dhe tenderin e synojnë grupi i operatorëve ekonomikë SBB Energy S.A; Intering Sh.P.K; Ethos Energy; kompania Limak Insaat Sanay ve Ticaret A.S.; kompania Golden Concord Group Limited; grupi i operatorëve ekonomikë KEPCO Plant Service & Engineering Co, LTD;DYPNF Co., Ltd; BHI CO. Ltd dhe grupi i operatorëve ekonomikë HIB Petrol Sh.P.K; Florian Viqa, NTPC Limited.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se aplikimi i pesë kompanive nga shtete të ndryshme dëshmon se po përmbyllet një garë serioze.
“Me këtë investim që po planifikohet dhe po realizohet, blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera me një investim nga mjetet vetanake të KEK-ut në vlerë prej 137 milionë euro, do të sjellë përfitime të shumëfishta. Do të prodhojë më shumë nga 130 sa prodhon aktualisht, do të prodhojë 215 megavat bruto”, ka thënë Rizvanolli. “Ky bllok për dekada të tëra ka punuar në kushte të vështira, shpesh nuk e ka pasur kapacitetin teknik që të punojë fare, sepse përtej remonteve të domosdoshme, nuk ka pasur investime serioze që do t’ia rrisnin stabilitetin dhe jetëgjatësinë”.
Rizvanolli i ka përmendur edhe kritikat lidhur me projektin, që janë adresuar kohë më parë nga deputetja e Lidhjes Demokratike (LDK), Hykmete Bajrami.
“E kemi parasysh se ju si menaxhment, si punonjës, si bord, jeni cak i sulmeve, për të cilat caku përfundimtar nuk jeni ju, por janë të natyrës politike të interesave tjera dhe ne e kemi parasysh se kjo e bën nganjëherë punën tuaj më të vështirë, por ne ju falënderojmë që qëndroni në këtë punë dhe e bëni me profesionalizëm dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të mbeteni besnikë ndaj KEK-ut, ndaj interesit publik dhe derisa e bëni këtë Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë prapa jush”, ka deklaruar ajo.
E, kryeshefi i KEK-ut, Gamos Hashani, e ka quajtur moment historik hapjen e fazës së aplikimeve për këtë tender.
“Duke e marrë parasysh rëndësinë e këtij projekti, ne e kemi shtyrë disa herë dhe zgjatë afatin për aplikim, për qëllim që të sigurohet një pjesëmarrje më e gjerë dhe më konkurruese. Në fund, vonesat e këtyre investimeve kanë ndikuar në aspektin teknik të njësisë A3. Kushtet e tregut global janë sfidë sot, megjithatë KEK-u ka dëshmuar përkushtim, përgjegjësi publike, transparencë dhe kapacitete për të realizuar me sukses këtë projekt”, ka thënë ai.
Kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi, ka thënë se modernizimi i njësisë A3 është dëshmi për përkushtim drejt një të ardhmeje stabile të sektorit të energjisë.
“Ky projekt është hap i rëndësishëm për KEK-un dhe të gjithë sektorin energjetik të Kosovës. Nuk bëhet fjalë vetëm për një ndërhyrje teknike, por për një transformim të vërtetë drejt më shumë efikasiteti, qëndrueshmërie dhe mbrojtje të mjedisit”, ka theksuar ai.
Ky aktivitet i prokurimit ka qenë i hapur që nga 22 janari i këtij viti. Së fundmi është pezulluar, pas ankesës së një operatori ekonomik për kritere diskriminuese, Kjo ankesë është hedhur poshtë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), duke i hapur rrugë KEK-ut për të vazhduar me procedura.
Njësia A3 është në operim për më shumë se 50 vjet. Në dosjen e tenderit të KEK-ut njoftohet se autoriteti kontraktues nuk ka kryer studim fizibiliteti dhe në pamundësi të specifikimeve teknike të detajuara për këtë aktivitet, e përdor procedurën konkurruese me negociata.
“Autoriteti kontraktues nuk mund të zgjedhë OE me tenderin fillestar dhe me këtë procedurë është e nevojshme të negociohet me të gjithë OE të kualifikuar. Pas përfundimit të negociatave, autoriteti kontraktues do të përgatisë dosjen përfundimtare dhe do t'ua dërgojë të gjithë OE-ve që janë pajtuar me propozimet gjatë negociatave dhe me kushtet e kontratës dhe do t'i jepet Operatorit Ekonomik ose grupit të Ekonomisë. Operatorët që do të paraqesin çmimin më të lirë”, thuhet në dosje.
Aty janë të paraqitura edhe specifikat teknike që duhet t’i plotësojnë kompania ose grupi i operatorëve që e fiton tenderin.