Arbëri

Pesë kompani aplikojnë për tenderin e njësisë A3 të TC Kosova A

vjedhje, kosova a, policia e kosoves, raporti policor, 18 prill

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka bërë hapjen zyrtare të aplikimeve të operatorëve ekonomik për projektin “Rehabilitimi dhe Modernizimi i Njësisë A3 në TC Kosova A”.

Për këtë tender janë dorëzuar pesë aplikacione, Grupi i Operatorëve Ekonomik SBB Energy S.A; Intering Sh.P.K; Ethos Energy, Kompania Limak Insaat Sanay ve Ticaret A.S, Kompania Golden Concord Group Limited; Grupi i operatorëve Ekonomik KEPCO Plant Service&Engineering Co, LTD;DYPNF Co., Ltd; BHI CO., Ltd dhe Grupi i operatorëve ekonomik HIB Petrol Sh.P.K; Florian Viqa, NTPC Limited.

Ky aktivitet i prokurimit ka qenë i hapur që nga 23 janar i këtij viti. Së fundmi ishte pezulluar pas një ankese të një operatori ekonomik për kritere diskriminuese, por që ankesa ishte hedhur poshtë nga OSHP-ja, duke I hapur rrugë KEK-ut për të vazhduar me procedurat tutje.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se aplikimi i pesë kompanive që vijnë nga shtet të ndryshme, dëshmon se po përmbyllet një garë serioze. Ajo ka thënë se kjo dëshmon se ato kanë besuar në këtë proces.

Ajo ka folur edhe për nevojën për investim në këtë njësi të termocentralit Kosova A.

“Ky bllok për dekada të tëra ka punuar në kushte të vështira, shpesh nuk ka pasur kapacitetin teknik që të punojë fare, sepse përtej remonteve të domosdoshme, nuk ka pasur investime serioze që do t’ia rrisnin stabilitetin dhe jetëgjatësinë.  Me këtë investim që po planifikohet dhe po realizohet blloku A3 do të vazhdojë të shërbejë edhe për së paku 20 vite të tjera me një investim nga mjetet vetanake të KEK-ut në vlerë prej 137 milionë euro, do të sjellë përfitime të shumëfishta. Do të prodhojë më shumë nga 130 sa prodhon aktualisht do të prodhojë 215 megavat bruto” , ka thënë Rizvanolli.

Ajo ka folur edhe për punët tjera në shtim të kapaciteteve të KEK-ut.

Rizvanolli tërthorazi ka përmendur edhe kritikat lidhur me projektin në fjalë që janë bërë së fundmi nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“E kemi parasysh se ju si menaxhment, si punonjës, si bord jeni cak i sulmeve, për të cilat caku përfundimtar nuk jeni ju por janë të natyrës politike të interesave tjera dhe ne e kemi parasysh se kjo e bën nganjëherë punën e juaj më të vështirë, por ne ju falënderojmë që qëndroni në këtë punë dhe e bëni me profesionalizëm dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të mbeteni besnik ndaj KEK-ut, ndaj interesit publik dhe derisa e bëni këtë Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë prapa jush”, ka deklaruar ajo.

E kryeshefi i KEK-ut, Gamos Hashani, e ka quajtur moment historik hapjen e fazës së aplikimeve për këtë tender.

Ai ka thënë se që nga paslufta nuk është bërë asnjë investim në njësitë e termocentralit Kosova A që do të zgjaste jetëgjatësinë e tyre që janë në operim për më shumë se 50 vite.

“Duke e marrë parasysh rëndësinë e këtij projekti ne e kemi shtyrë disa herë dhe zgjatë afatin për aplikim për qëllim që të sigurohet një pjesëmarrje më e gjerë dhe më konkurruese. Në fund vonesat e këtyre investimeve kanë ndikuar në aspektin teknik të njësisë A3. Kushtet e tregut global janë sfidë sot, megjithatë KEK ka dëshmuar përkushtim, përgjegjësi publike, transparencë dhe kapacitete për të realizuar me sukses këtë projekt”, ka thënë ai.

Edhe kryesuesi i Bordit, Valdrin Krasniqi ka thënë se modernizimi i njësisë A3 është dëshmi për përkushtim drejt një të ardhme stabile të sektorit të energjisë.

“Ky projekt është hap i rëndësishëm për KEK-un dhe të gjithë sektorin energjetik të Kosovës. Nuk bëhet fjalë vetëm për një ndërhyrje teknike, por për një transformim të vërtetë drejt më shumë efikasiteti, qëndrueshmërie dhe mbrojtje të mjedisit”, ka thënë ai.

Ai ka siguruar se do të ketë një mbikëqyrje të pavarur të këtij procesi.