Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja vazhdon bojkotin e komisioneve parlamentare

PDK-ja vazhdon bojkotin e komisioneve parlamentare

Deputetë të PDK-së sërish e kanë lëshuar mbledhjen e Komisionit për Administratë Publike. Ata kërkuan që Kuvendi t’i japë përparësi projektligjit me të cilin synohet të ndryshohet Ligji për Dhomat e Specializuara, duke refuzuar që komisioni të vazhdojë me punë rutinore. Sipas tyre, në rrethanat aktuale nuk mund të vazhdohet me punë rutinore të Kuvendit

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike nuk është mbajtur sipas rendit të paraparë të ditës.

Dy deputetët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, lëshuan sallën duke kërkuar që Kuvendi t’i japë përparësi projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke refuzuar që komisioni të vazhdojë me punë rutinore.

Deputetja Ganimete Musliu tha se, ndonëse kishte marrë pjesë në mbledhje për të konfirmuar konstituimin e komisionit, në rrethanat aktuale nuk mund të vazhdohet me rrjedhë normale të punës.

“Sot jemi dëshmitarë të gjithë që jo vetëm në sheshin e Prishtinës, por në të gjitha sheshet e komunave të Kosovës, ose të them më troç, në gjithë Kosovën e edhe në mërgatë, qytetarët e Republikës së Kosovës i kanë drejtuar sytë nga institucionet, i kanë drejtuar sidomos sytë nga ky Kuvend që është edhe njëherë po e përsëris institucioni më i lartë përfaqësues që del direkt nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe kërkojnë që ky Kuvend mos të ketë asnjë prioritet tjetër para shqyrtimit ose plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, ka thënë Musliu.

Edhe deputeti Fadil Demaku tha se projektligji duhet të jetë prioritet i Kuvendit.

“Ky është prioriteti numër një. Çështjet e tjera asnjëra nuk janë me nguti dhe të gjitha mund të presin. Ne jemi këtu si përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tashmë është e qartë që qëndrimi i popullit të Kosovës, kërkesa është shumë e qartë ndaj qeverisë dhe deputetëve që ky ligj të trajtohet me emergjencë dhe për këtë arsye ne, si Parti Demokratike, e kemi dhënë kontributin tonë që t’i kemi krejt mekanizmat funksionalë”, ka thënë Demaku.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, Albert Kinolli, situata aktuale është shqetësuese për qytetarët.

“Unë vetëm jam duke e bërë punën time si kryetar i komisionit dhe besoj që nuk ka asnjë individ, pa marrë parasysh se nga cila shtresë vjen, a janë mediat, a janë deputetët, apo qytetari i rëndomtë, që nuk bashkëndien me këtë situatë. Mirëpo, sipas informacioneve që i kemi nga kryeministri, ne urojmë edhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend”, ka thënë Kinolli.

Kuvendi, në seancën e 28 shtatorit, ka nxjerrë vendimin për formimin e 16 komisioneve parlamentare.