Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PDK-ja largohet edhe nga Komisioni për AKI-në, kërkon procedimin e Ligjit për Specialen

pdk

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas konstituimit të tij, duke kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më parë plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, tha se konstituimi i institucioneve është i rëndësishëm, por sipas saj, aktualisht prioritet duhet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara.

“Ne sapo morëm pjesë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, dhe natyrisht si Parti Demokratike e Kosovës konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh se sa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha Kabashi-Ramaj.

Edhe deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, tha se partia e tij e konsideron këtë ligj si “prioritet mbi prioritetet”, duke paralajmëruar se deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në komisione të tjera deri në procedimin e tij.

“Por neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim kanë ardhur shumë ligje këtu brenda për brenda Kuvendit nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Rama.

I pyetur për deklarimin e kryeministrit se ligji do të procedohet brenda javës, Rama tha se PDK-ja pret që kjo të ndodhë sa më shpejt.

“E presim, e presim na, këtu jemi domethënë, por ne presioni është që sa më parë që të vjen, sa më parë që është e mundshme me ardhur në Kuvend dhe t’i kryejmë të gjitha procedurat”, tha Rama.

Rama u pyet edhe për paralajmërimin e takimeve të kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e presidentit. Ajo tha se për PDK-në, fillimisht duhet të procedohet Ligji për Dhomat e Specializuara, duke përfshirë mbikëqyrjen e procesit dhe përkrahjen financiare.

“Ju e dini edhe qëndrimin e PDK-së po edhe vet kryetarit Bedri Hamza. Për neve prioritet është e para, domethënë Ligji për Dhomat e Specializuara të ketë mbikëqyrje, domethënë të procesit dhe përkrahje financiare. Dhe pas asaj mundemi me u ulë dhe me diskutuar dhe është edhe me ne edhe qëndrimi jonë që të ketë sa më parë që është e mundshme Kosova t’i ketë të gjitha institucionet”, tha Rama.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) të martën njoftoi se nuk do të bëhet pengesë për funksionalitetin e institucioneve, por që nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve pa u proceduar projektligji për Dhomat e Specializuara. Anëtarët e saj një ditë më parë lëshuan edhe mbledhjen e Komisionit për Legjislacion./ EO

Berisha: Të gjitha partitë të komunikojnë për tejkalimin e ngërçit

35 s. më parë / 1 tet 2026 10:18
Bekë Berisha

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bekë Berisha, ka deklaruar se mbledhja e këtij komisioni ka pasur kuorum dhe se puna do të vazhdojë, pavarësisht largimit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), raporton Ekonomia Online.

Ai u shpreh se shqetësimet e ngritura nga deputetët e PDK-së duhet të trajtohen si çështje që prekin të gjithë deputetët dhe jo vetëm një subjekt politik.

“Ishim në Komision për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kuorum kishte në mungesë të një personi nga Lista Serbe. Edhe do të vazhdojmë punën, po patëm reagim nga deputetët e PDK-së ashtu qysh e shpjeguan ata. Kjo çështje nuk është veç e një partie, është e të gjithëve. Edhe i kisha lutë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, me dhanë kontributin e vet më së pari që ne të stabilizohemi e të kemi komisione të rregullta, po edhe të kemi parlament e të mund të debatojmë”, tha Berisha.

Kryetari i komisionit ka paralajmëruar se Kosova ndodhet përballë një situate të ndërlikuar politike, ndërsa ka kërkuar nga deputetët që të angazhohen për tejkalimin e ngërçit institucional.

Ai tha se Kuvendit i kanë mbetur vetëm disa ditë nga mandati aktual, nëse nuk shkohet sërish në zgjedhje, duke shprehur shqetësimin se mungesa e komunikimit mes subjekteve politike mund ta çojë vendin përsëri drejt zgjedhjeve.

“Duhet me ditë që jemi me afat edhe 4-5 ditë, domethënë kemi mandat nëse nuk shkojmë në zgjedhje. Sikur jemi mësu, domethënë jemi që tri herë tu shku në zgjedhje, ka mundësi që shkojmë prapë për shkak të moskomunikimit të mirëfilltë, për shkak të mosinteresimit, për shkak se po na marrin, domethënë temat edhe gjërat po na shtyjnë përpara e pa rolin shumë të deputetëve. Edhe çdo deputet e ka për detyrë, e ka për obligim, sepse nuk ka tjetër kush këtu pos deputetëve të të gjitha partive politike për me kallëzu qysh me dalë na prej këtij ngërçi e prej kësaj nyje”, u shpreh Berisha.

Berisha tha se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar situatën në Kosovë dhe se, sipas tij, çështja nuk duhet të shihet vetëm në raport me një organizatë apo me disa individë, por si një çështje që lidhet me të ardhmen e vendit.

“Kosova më nuk është e njëjtë prej datës 16, prej asaj që ka ndodhë. Nuk ka të bëjë këtu as veç me një organizatë, as me katër ose me gjashtë individë, ka të bëjë me fatin e Kosovës. Edhe këtu tash na duhet me u ulë edhe duhet me ja nisë me këqyrë qysh me dalë me zgjidhje. Nuk mundet me pru kush zgjedhje për neve, se duhet na tash me ja nisë”, tha ai.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së tha se institucionet e Kosovës duhet ta marrin përgjegjësinë për zgjidhjen e situatës, duke përmendur edhe rolin e faktorëve ndërkombëtarë në të kaluarën.

“E mbaj mend një kohë, veç në ambasada na kallzonin çka me ba. Tani do të tjerë i mahnitëshin krejt ambasadat. Po tash na duhet me marrë rolin deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse nuk ka nevojë me ardhur kush, askush sot nuk u mor kush me çështjet tona. Kjo është gjendje e rëndë“, tha Berisha.

Berisha në fund u bëri thirrje deputetëve të të gjitha partive politike që të komunikojnë mes vete dhe të punojnë për tejkalimin e situatës.

Ai theksoi se përveç komunikimit, nevojitet edhe sinqeritet dhe, siç tha ai, atdhedashuri për të gjetur zgjidhje të përbashkët.

“I kisha lutë me ardhur me komunikuar ndërveti, me pa sinqeritet më së pari, po edhe atdhedashuri, se kjo është e para, edhe nuk ka problem që nuk mundemi me zgjidhë bashkë”, shtoi Berisha.