LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja e AAK-ja e urojnë Bashën, LDK-ja e quan “gabim trashanik” zgjedhjen e tij

Në opozitën e mandatit të kaluar u shprehën të ndarë në qëndrime sa i përket zgjedhjes së Dimal Bashës për kryeparlamentar. Në PDK dhe në AAK e uruan kryetarin e ri të Kuvendit teksa e kualifikuan të befasishëm propozimin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje. E në LDK e quajtën gabim trashanik zgjedhjen e Bashës me votat e këtyre dy partive

Përfaqësues të partive politike, që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, shprehën befasi e edhe pakënaqësi për propozimin dhe zgjedhjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, si kryetar Kuvendi.    

Pas seancës së të martës kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e kualifikoi të befasishme mënyrën e propozimit të Bashës për kryeparlamentar, por shtoi se subjekti i tij dha votë pro për ta zhbllokuar situatën rreth konstituimit të Kuvendit.

“...unë jam i bindur se edhe ata, edhe ju, edhe çdo qytetar e di që një kandidat i tillë nuk është për me e udhëheqë Kuvendin e Kosovës, por kam dashur me ju tregu se nëse e keni vërtetë dertin e votojmë, por qiteni një njeri tjetër të paktën mos të bëhet hor ky Kuvend”, tha Krasniqi.

I befasuar me propozimin u shpreh edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

“Ne e kemi pasur një votim të lirë, si grup parlamentar, ku unë personalisht ja kam dhënë votën dhe mendoj që u pa se e kanë seriozisht. Dhe i pyeta: a e keni seriozisht që ky është kandidati më i preferuar i Vetëvendosjes. Thanë: po. Dhe kështu vepruam, votuam për dhe i uroj suksese”, tha Haradinaj.

E votat e këtyre dy subjekteve i kualifikoi të gabuara kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish-opozitës, PDK e AAK, që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet i 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione. Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës”, tha Abdixhiku.

E kryetari i NISMËS, Fatmir Limaj, kërkoi sqarime nga partia fituese e zgjedhjeve për vonesën e deritanishme në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Le të jepet një shpjegim se pse e kanë vonuar Kuvendin deri tash sa muaj. Votim pa marrëveshje politike. Ka mundur të bëhej që në ditën e parë”, tha Limaj. 

Basha u zgjodh kryeparlamentar pas bllokadës 133-ditore. Zgjedhjen e tij e uruan ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rhode, ai i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.