Pas afro 60 seancave të dështuara, të martën Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën për kryeparlamentar. Zgjedhja e tij, përveç nga 56 votat e LVV-së, u mundësua edhe me 14 vota të PDK-së dhe tri të AAK-së. Kuvendi ka zgjedhur edhe tre nënkryetarët nga radhët e komunitetit shqiptar dhe një nënkryetar nga pakicat joserbe. Ndërkaq nënkryetari nga komuniteti serb nuk arriti të zgjidhej, meqë propozimi i Listës Serbe nuk i mori votat e mjaftueshme tri herë, por edhe meqë kjo parti këmbënguli në vetëm një kandidat. Kuvendi nuk konsiderohet ende i konstituuar
Dimal Basha, kandidati i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, në seancën e së martës. Zgjedhja e kryetarit u bë e mundur gati shtatë muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, e më shumë se katër muaj përplasje mes partive politike parlamentare për emra e për procedura. Basha ishte propozuar edhe në seancën e së dielës, si i pesti me radhë pas aktgjykimit të dytë të Kushtetueses, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme. Por, në atë seancë ishin dhënë sinjale se ai apo ndonjë kandidat tjetër që nuk ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti, mund t’i marrin votat e disa prej partive ish-opozitare. Madje, garanci për votimin e Bashës për kryeparlamentar e ka dhënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, para se të niste mbledhja konstituive.
“Kërkesa jonë si sot si atë ditë ka qenë t’i tregojmë Vetëvendosjes që me një kandidat të tillë e degradon Kuvendin. Megjithatë, nëse LVV-ja vërtet e konsideron se një kandidat i tillë si Dimal Basha është përfaqësuesi më i mirë i tyre atëherë PDK e voton”, ka thënë Krasniqi para së të nisë mbledhja.
Seanca nisi me kërkesën e kryesuesit Avni Dehari që Vetëvendosje të propozojë emrin e kandidatit për kreparlamentar.
“Propozimi i LVV-së është deputeti Dimal Basha”, ka njoftuar deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci.
Dehari e hodhi propozimin në votim dhe Basha mori 73 vota për. Përveç 56 votave të Vetëvendosjes dhe komuniteteve joserbe, 14 vota mbështetëse ai i mori nga deputetë të PDK-së dhe tri të AAK-së. Tetë deputetë abstenuan në mesin e tyre edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ndryshe nga kolegët e partisë së tij që votuan kundër. Kundër votuan edhe katër deputetë të PDK-së, ndërsa pesë po nga ky subjekt abstenuan. Deputetë të AAK-së që abstenuan ishin dy.
Për Bashën, ngërçi shërbeu edhe si mësim për demokracinë
Në adresimin e tij të parë si kryetar i Kuvendit, Basha bëri thirrje për unitet në objektivat për zhvillimin e Kosovës. Për ngërçin e krijuar në Kuvend nga 15 prilli ai tha se mes tjerash ka qenë një mësim për demokracinë.
“Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë Basha.
Në fjalimin e tij ai falënderoi deputetët për mbështetjen, ndërsa vlerësoi sakrificën dhe kontributin e popullit për lirinë dhe shtetin.
“Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”, ka thënë Basha. “Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”.
Kryetari i ri i Kuvendit bëri thirrje për bashkëpunim, pavarësisht, siç tha, dallimeve mes subjekteve politike.
“Ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.
Pas përmbylljes së pikës për zgjedhjen e kryeparlamentarit, Basha e ndërpreu seancën deri në orën 12:30, kur do të vazhdohej me pikën e fundit të rendit të ditës së seancës konstituive - zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. Para Bashës, Vetëvendosje ka provuar të zgjedhë kryetar Kuvendi, Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin e Arbërie Nagavcin.
Para aktgjykimit të 18 gushtit të Gjykatës Kushtetuese deputetët kishin dështuar ta konstituojnë Kuvendin për 54 herë, e pas publikimit të tij, të martën u shënua dështimi i katërt.
Lista Serbe nuk mori pjesë fare në votim, e insistoi vetëm në Slavko Simiqin nënkryetar
Pas zgjedhjes së kryetarit, Kuvendi ka zgjedhur edhe tre nënkryetarët nga radhët e komunitetit shqiptar dhe një nënkryetar nga pakicat joserbe. Ndërkaq nënkryetari nga komuniteti serb nuk arriti të zgjidhet pasi propozimi i Listës Serbe nuk i mori votat e mjaftueshme në tri votime dhe kjo parti refuzoi të propozonte kandidat tjetër.
Basha e ndryshoi mënyrën e propozimit, por sërish katër emrat e kandidatëve që dolën me short nuk morën vota të mjaftueshme dhe Kuvendi mbeti pa u konstituuar.
Hapja e kësaj seance ku do të zgjidheshin nënkryetarët u bë me më shumë se një orë e gjysmë vonesë. Basha konfirmoi që në fillim se tri grupet më të mëdha parlamentare me konsensus vendosën që zgjedhjen e tre nënkryetarëve shqiptarë ta bëjnë në pako. Paraprakisht u dhanë propozimet. Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Albulena Haxhiun; Partia Demokratike Vlora Çitakun; Lidhja Demokratike propozoi Kujtim Shalën. Kandidatët u hodhën në votim dhe morën 101 vota për dhe 9 abstenime. Abstenimet ishin të deputetëve të Listës Serbe.
Pas tyre, radha erdhi te zgjedhja e dy nënkryetarëve tjerë, njëri nga pakicat serbe dhe tjetri nga komuniteti serb. Por, para se përfaqësuesi i grupit multietnik të japë propozimet me rotacion, pati kërkesë që votimi i dy nënkryetarëve të mbetur të mos bëhet në pako.
“Kërkojmë që votimi për zgjedhjen e nënkryetarit nga grupi multietnik të ndahet nga votimi i nënkryetarit të Listës Serbe”, tha Elbert Krasniqi, deputet nga grupi multietnik.
Kërkesa e Krasniqit u aprovua nga kryetari, i cili hodhi në votim deputeten boshnjake Emilia Rexhepi.
Ajo u zgjodh nënkryetare me 73 vota për, 23 abstenime dhe 1 votë kundër.
Lista Serbe nuk mori pjesë fare në votim duke shkelur aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat i kanë obliguar deputetët që të marrin pjesë në votim.
Pas zgjedhjes së Rexhepit, propozimi i kaloi komunitetit serb. Deputeti Igor Simiq propozoi Slavko Simiqin për nënkryetar dhe tha se propozimi u bë me konsensus brenda serbëve. Por kundërshtoi deputeti tjetër serb, Nenad Rashiq, i cili e propozoi veten për nënkryetar. Në votim u hodh propozimi për Simiqin dhe pro zgjedhjes së tij votuan vetëm 10 deputetë, 9 të Listës Serbe dhe deputeti goran Adem Hoxha që formalisht i është bashkuar grupit të AAK-së. Kundër votuan deputetët e Vetëvendosjes dhe pakicave joserbe, ata të PDK-së abstenuan, ndërkaq deputetët e LDK-së nuk morën pjesë fare në votim. Propozimi për Simiqin u nxor në votim edhe dy herë të tjera por sërish s’pati vota.
Kryetari Basha kërkoi që në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses për votim deri në tri herë të një kandidati, LS-ja të propozojë një emër tjetër. Por LS nuk e ndërroi propozimin. Asaj iu dha mundësia edhe tri herë të tjera që të propozojë emrin e kandidatit, por refuzoi ta ndërrojë Simiqin. Bazuar në Rregulloren e Punës së Kuvendit, kryetari Basha zgjodhi një formë tjetër për t’i nxjerrë propozimet në votim.
“Kandidati është ezauruar, Lista Serbe po refuzon të propozojë kandidat tjetër prandaj vazhdojmë me paragrafin 7 të Rregullores së Kuvendit ku thotë se në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse. Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit”, ka cituar rregulloren, Basha.
Lista Serbe e refuzoi pjesëmarrjen gjatë hedhjes së shortit por mori pjesë deputeti tjetër serb, Rashiqi. Nga shorti dolën tre kandidatë të LS-së të cilët nuk morën asnjë votë për dhe refuzuan edhe të kandidohen, pasi Lista Serbe refuzoi pjesëmarrjen në votim. Njësoj në votim nuk mori pjesë as LDK-ja. Ndërkaq VV-ja kundërshtoi me votë e PDK-ja abstenoi.
Shorti nxori në votim edhe deputetin Rashiq por as për të nuk pati vota të mjaftueshme. Përkrahje i dha Vetëvendosje dhe komuniteti joserb, ndërkaq PDK-ja abstenoi e LDK-ja u përmbajt nga votimi. Pas Rashiqit, kryetari e ndërpreu seancën, e cila nuk arriti të përmbyllej as të martën me konstituim dhe vazhdimi u caktua për të enjten.
PDK-ja e AAK-ja urojnë Bashën, LDK-ja e cilëson gabim trashanik zgjedhjen e tij
Përfaqësues të partive politike, që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë, shprehën, disa befasi e disa pakënaqësi për propozimin dhe zgjedhjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, kryetar Kuvendi.
Pas seancës së të martës kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka kualifikuar të befasishme mënyrën e propozimit të Bashës për kryeparlamentar, por shtoi se subjekti i tij dha votë pro për ta zhbllokuar situatën rreth konstituimit të Kuvendit.
“Unë jam i bindur se edhe ata, edhe ju, edhe çdo qytetar e di që një kandidat i tillë nuk është për me e udhëheqë Kuvendin e Kosovës, por kam dashur me ju tregu se nëse e keni vërtetë dertin e votojmë, por qiteni një njeri tjetër të paktën mos të bëhet hor ky Kuvend”, ka deklaruar Krasniqi.
I befasuar me propozimin është shprehur edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.
“Ne e kemi pasur një votim të lirë, si grup parlamentar, ku unë personalisht ja kam dhënë votën dhe mendoj që u pa se e kanë seriozisht. Dhe i pyeta: a e keni seriozisht që ky është kandidati më i preferuar i Vetëvendosjes. Thanë: po. Dhe kështu vepruam, votuam për dhe i uroj suksese”, ka thënë Haradinaj.
E votat e këtyre dy subjekteve i kualifikoi të gabuara kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish-opozitës, PDK e AAK, që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet i 73 deputetëve shumicës, LDK e respekton këtë vullnet por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione. Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.
Ndaj deklarimeve të Abdixhikut ka reaguar gjatë ditës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka arsyetuar votën për kryetarin e Kuvendit, me siç ka thënë me përgjegjësinë për zhbllokimin për konstituimin e Kuvendit.
“AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK-ja e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës. Kaq ka qenë përgjegjësia jonë dhe kaq kemi bërë. Veç Lumir Abdixhiku me të tijtë, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende. Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir!” ka shkruar Haradinaj.
E kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, kërkoi sqarime nga partia fituese e zgjedhjeve për vonesën e deritanishme në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
“Le të jepet një shpjegim se pse e kanë vonuar Kuvendin deri tash sa muaj. Votim pa marrëveshje politike. Ka mundur të bëhej që në ditën e parë”, ka theksuar Limaj.
Basha u zgjodh kryeparlamentar pas bllokadës 133-ditore.
Osmani shpreson në zhbllokimin e plotë, Rhode kritik për mosvotimin e kandidatit të Listës Serbe
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur fillimin e konstituimit të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës. Osmani shpreson që sa më parë të konstituohet Kuvendi e të votohet Qeveria e re.
“Presidentja mirëpret që procesi i konstituimit të Kuvendit ka filluar të zhbllokohet dhe shpreson që ky proces të përmbyllet sa më parë, në përputhje me kushtetutën. Ajo i uron punë të mbarë e në interes të vendit kryetarit të ri Dimal Basha dhe nënkryetarëve të zgjedhur të Kuvendit, znj.Albulena Haxhiu, Znj. Vlora Çitaku, z. Kujtim Shala dhe znj. Emilija Rexhepi. Presidentja shpreson që sa më parë, e në përputhje me procedurat kushtetuese, Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re të dalë nga vullneti i qytetarëve nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Të martën është zgjedhur Dimal Basha kryetar i Kuvendit, ndërsa nënkryetar janë zgjedhur Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku, Kujtim Shala dhe Emilia Rexhepi. Konstituimi është bllokuar te zgjedhja e nënkryetarit nga radha e komunitetit joshumicë serb. Seanca e radhës do të mbahet të enjten.
Zgjedhjen e Bashës, gjatë ditës së martë e uruan ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
E ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, duke komentuar ngecjen në konstituimin e Kuvendit, për shkak se shumica e deputetëve refuzuan ta votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe, ka thënë se protagonistët nuk kanë vullnet politik për të gjetur një zgjidhje dhe se kjo është e keqe për Kosovën.
Ai u ka thënë mediave se kishte shpresë që kriza mund të zgjidhej, por se sipas tij, në këto momente nuk duket e mundur.
“Më duket se këtë mëngjes kisha një shpresë të shkurtër që kriza mund të zgjidhej, por në këtë moment nuk duket e mundur. Ndoshta nuk ka mjaft vullnet politik ndër protagonistët për të gjetur një zgjidhje. Kjo është e keqe për Kosovën, sepse shumë fonde janë në lojë dhe na duhen institucione funksionale, si parlamenti dhe qeveria”.