Pas më shumë se katër muajsh ngërçi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të martën deputetët me shumicë votash e kanë zgjedhur Dimal Bashën për kryeparlamentar. Zgjedhja e tij u mundësua me 14 vota të PDK-së dhe 3 të AAK-së. Ndërkaq në këtë proces votimi kundër votuan LDK-ja, Lista Serbe dhe Nisma Socialdemokrate.
Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar Kuvendi, që dështoi një herë në seancën e shkuar, kaloi suksesshëm në atë që u mbajt të martën.
Dimal Basha u zgjodh kryetar Kuvendi me shumicë votash, pas më shumë se 4
muajsh ngërçi politik e pas 5 propozimeve të LVV-së për kryeparlamentar.
Paraprakisht garanci për votimin e Bashës për kryeparlamentar dha kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, në një konferencë për media.
Ai u shpreh se në seancën që do të niste disa minuta më pas do të votojnë pro secilit deputet të LVV-së që nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar.
“Kërkesa jonë si sot, si atë ditë ka qenë t’i tregojmë Vetëvendosjes që me një kandidat të tillë e degradon Kuvendin. Megjithatë nëse LVV vërtet e konsideron se një kandidat i tillë si Dimal Basha është përfaqësuesi më i mirë i tyre, atëherë PDK e voton”, tha Krasniqi.
Seanca nisi dhe kryesuesi kërkoi nga Vetëvendosje të propozojë emrin e kandidatit për kreparlamentar.
“Propozimi i LVV-së është deputeti Dimal Basha”, tha deputetja e VV-së, Arbërie Nagavci.
Dehari e hodhi propozimin në votim dhe Basha mori 73 vota për.
Përveç 56 votave që erdhën nga Vetëvendosje dhe komunitetet joserbe, 14 vota ia dha Partia Demokratike dhe 3 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkaq 8 deputetë abstenuan, në mesin e tyre edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, pavarësisht se deputetët e tjerë të partisë së tij votuan kundër.
Në PDK kundër votuan 4 deputetë dhe 5 abstenuan.
E në AAK abstenuan dy deputetë.
Në fjalimin e tij të parë si kryetar Kuvendi, Basha bëri thirrje për unitet në objektivat për zhvillimin e Kosovës.
“Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që u ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, tha Basha.
Pas përmbylljes së pikës për zgjedhjen e kryeparlamentarit, Basha e ndërpreu seancën për konsultime, ku më pas do të vazhdohej me pikën e fundit të rendit të ditës së seancës konstituive, që është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Para Bashës, Vetëvendosje ka provuar ta zgjedhë kryeparlamentar: Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën, Hekuran Muratin e Arbërie Nagavcin.
Para aktgjykimit të 18 gushtit të Gjykatës Kushtetuese deputetët kishin dështuar ta konstituonin Kuvendin për 54 herë, e pas publikimit të tij të martën u shënua dështimi i katërt.