Arbëri

Ekipi ligjor i Presidencës po bën analizë lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit

Dimal Basha dhe Vjosa Osmani

Ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë një analizë ligjore lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. 

Për këtë presidentja Vjosa Osmani e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, në takimit që e kanë zhvilluar të hënën. 

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim, në cilësinë e tij, të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, z. Dimal Basha. Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin.

Presidentja thuhet se ka potencuar se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.

Pas afro 60 seancave të dështuara, të martën e javës së kaluar Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën për kryeparlamentar. Zgjedhja e tij, përveç nga 56 votat e LVV-së, u mundësua edhe me 14 vota të PDK-së dhe tri të AAK-së. 

Basha u zgjodh kryetar nga radhët e Vetëvendosjes, por jo edhe kryesia prej pesë anëtarësh.

Nënkryetarë u zgjodhën Albulena Haxhiu – Vetëvendosje, Vlora Çitaku - PDK, Kujtim Shala - LDK dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet jo shumicë serbe.

Pasi nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk u zgjodh, Dimal Basha tha të shtunën e javës së kalaur se janë konsumuar të gjitha opsionet, duke e quajtur të mbyllur seancën konstituive.