Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Një pjesë e Institutit të Mjekësisë Ligjore kaplohet nga flakët

Dy dhoma në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit të së martës. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se, sipas të dhënave fillestare, nuk ka dëmtim të provave që ndodhen aty. Por, zyrtarë opozitarë ngritën dyshime për përfshirje të pushtetit në këtë rast

Dy dhoma në katin e dytë të Institutit të Mjekësisë Ligjore janë kapluar nga flakët mëngjesin e së martës.

Nuk ka pasur viktima, e versione të ndryshme janë dhënë për dëmet në provat të cilat ndodhen në këtë institucion.

Abdusamed Shkodra, zyrtar i zjarrfikësve, tha se, sipas hetimeve të para, zjarri ka filluar në zyrën e drejtorit të Institutit.

“Menjëherë zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë intervenuar, kanë bërë lokalizimin e zjarrit. Në një kohë të shpejtë është bërë lokalizimi i zjarrit. Informatat që i posedojmë, është zyra e drejtorit, është e përfshirë nga zjarri dhe një pjesë tjetër”, ka thënë Shkodra.

Në Prokurorinë Themelore i treguan KOHËS se janë lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve në vendin e ngjarjes dhe nëse ka elemente të veprës penale, do të ndërmerren veprime të mëtejme konform Kodit të Procedurës Penale.

Edhe Zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore Kronikë Zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore

“Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime për kryerjen e ekzaminimeve nga vendi i ngjarjes dhe nga gjetjet e tyre, eventualisht në rast të paraqitjes së elementeve të veprës penale, do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme konform dispozitave të KPPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se nuk ka dëmtim të provave apo dokumenteve të tjera në zyrat e djegura.

“Nga vlerësimet fillestare nuk ka pasur djegie ose dëmtim të mbetjeve mortore, arkivit të IML-së dhe mostrave. Ekipet e forenzikës, ekspertët e zjarrit dhe të elektroteknikës janë ende duke kryer punën e tyre me qëllim që të dihen shkaqet e zjarrit. Policia e po ashtu Prokuroria janë duke e bërë punën e tyre. Për shkak të atyre që kanë ndodhur në IML ndër vite, me të drejtë qytetarët mund të jenë të shqetësuar lidhur me këtë, mirëpo pa e kuptuar shkakun e zjarrit nuk mund të japim informacione më shumë”, është shprehur Haxhiu.

Por, zyrtarë të dy partive kryesore opozitare kanë fajësuar Qeverinë për zjarrin.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi që urgjentisht të hidhet dritë mbi ngjarjen dhe listoi një numër pyetjesh për Ministrinë e Drejtësisë.

“Nga të gjitha organet kompetente kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti! Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari mbikëqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta?”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, fajin e gjuajti te Qeveria.

Edhe Zjarri në IML dyshohet se u shkaktua nga një defekt në instalimin elektrik Kronikë Zjarri në IML dyshohet se u shkaktua nga një defekt në instalimin elektrik

“Kjo është e frikshme. Kjo ngre dyshime e frikë të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit në këtë rast. Kjo që ndodhi është, thënë më së buti, katastrofë. Nuk mund të kujtoj asgjë më skandaloze se një keqmenaxhim të tillë të Institutit, që rikujtojmë: operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe operon me ushtrues detyre qe sa kohë”, ka deklaruar ajo.

Në vitin 2022, zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore dha dorëheqjen pa treguar arsyet e largimit. Në të njëjtën kohë ministrja Haxhiu bëri të ditur se ishin zhdukur disa mostra të Astrit Deharit, pas të cilit rast qenë pezulluar nga puna katër punonjës të këtij instituti.