Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica, e ka quajtur të frikshme djegien e objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, duke thënë se kjo mund të jetë edhe e ndërlidhur me rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit Astrit Dehari.
Ajo ka shkruar në Facebook të martën se djegia e objektit të IML-së ka ndodhur një ditë pasi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dha dëshmi në Policinë e Kosovës për rastin “Dehari”, derisa ka shtuar se “kjo që ndodhi është thënë më së buti katastrofë”.
“Kjo është e frikshme. Kjo ngrit dyshime e frikë të një përfshirjeje tejet të rrezikshme të pushtetit në këtë rast. Kjo që ndodhi është thënë më së buti katastrofë. Nuk e di e mund të kujtoj asgjë më skandaloze se një keqmenaxhim të tillë të Institutit, që rikujtojmë: operon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe operon me ushtrues detyre qe sa kohë”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
KOHA ka kontaktuar deputeten Kica dhe ajo ka thënë se brishtësia e prekshmërisë së IML-së është e tmerrshme, duke theksuar se e tmerrshme është “frika dhe ndjenja që krijohet kur ndodhin këto raste”.
“Pashmangshëm, duke qenë pikërisht të dyja e bëjnë edhe kaq të tmerrshme, por akoma më shumë brishteria e prekshmërisë së IML-së...Nuk po flas për përfshirje si fakt, por si frikë dhe ndjenjë që krijohet kur ndodhin këto raste. Pashmangshëm edhe këtu krijohet bindja sepse koincidenca është shumë e madhe për të qenë vetëm koincidenc”, ka thënë ajo.