Derisa qytetarët e këtyre dy komunave të premten i janë përgjigjur thirrjes për nënshkrimin e peticioneve, organizatorët e procesit të nisur të mërkurën në Komunën e Mitrovicës së Veriut kanë thënë se është arritur numri i nënshkrimeve të nevojshme për shkarkimin e kryetarit Erden Atiq. Ani se nuk e kanë treguar numrin e saktë të nënshkrimeve, njëra nga organizatorët, Sanja Kërtiniq, ka bërë të ditur se kuota e domosdoshme është tejkaluar
Pas Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, të premten ka nisur mbledhja e nënshkrimeve edhe në Zveçan dhe në Zubin-Potok, në kuadër të nismës për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.
Mbledhja e nënshkrimeve në këto dy komuna është bërë në mjedise të hapura, nëpër disa tavolina të renditura dhe çadra të vendosura mbi to.
Në Zveçan qytetarët e angazhuar në realizimin e nismës janë kujdesur për verifikimin e personave të interesuar derisa ata vendosnin të dhënat e tyre dhe nënshkrimet për peticionin që do të çojë drejt shkarkimit të kryetarit Ilir Peci. Për dallim prej tri komunave të tjera, qytetarët e Zveçanit kanë kohë deri më 27 janar për të mbledhur 1.441 nënshkrimet e nevojshme që peticioni të konsiderohet i suksesshëm.
Organizatorët e nismës në Zubin-Potok për mbledhjen e nënshkrimeve janë shprehur të kënaqur me mbarëvajtjen e procesit të nisur të premten.
Sërxhan Vuçiniq, njëri nga iniciatorët e peticionit, ka thënë se kërkesë e qytetarëve të Komunës së Zubin-Potokut është që ata të përfaqësohen nga një kryetar legjitim. Në këtë komunë kryetar është zgjedhur Izmir Zeqiri, pas zgjedhjeve të parakohshme të 23 prillit, të cilat u patën bojkotuar nga qytetarët serbë të veriut.
“Thjesht ai nuk është kryetar yni dhe do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë demokratike, në mënyrë të qetë dhe demokratike, dhe do ta shkarkojmë. Është fakt se kryetari aktual është zgjedhur me përafërsisht qindra vota, gjë kjo që gjithsesi tregon se ai nuk ka legjitimitet për ta përfaqësuar dhe udhëhequr komunën tonë, ashtu siç ne do të dëshironim”, ka thënë Vuçiniq.
Procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për peticion në Zubin-Potok do të zgjasë deri të hënën. Vuçiniqi është shprehur i bindur se deri në këtë afat do të mblidhen “shumë më tepër” nënshkrime se sa që është e nevojshme.
“Thjesht duam të themi se kjo është komunë jona dhe se atë duhet që ta përfaqësojnë ata njerëz që zgjidhen në mënyrë demokratike, me shumicën e madhe të votave”, ka thënë ai.
Që peticioni të jetë i suksesshëm, në Zubin-Potok duhet të mblidhen së paku 1.347 nënshkrime.
Mbledhja e nënshkrimeve për peticionin e shkarkimit të kryetarëve është duke u bërë që nga e mërkura edhe në Komunën e Leposaviqit, ku nevojiten 2.689 nënshkrime. Po të mërkurën ky proces ka nisur edhe në Mitrovicën e Veriut. Organizatorët e procesit kanë thënë se në këtë komunë është arritur numri prej 3.640 nënshkrimeve të nevojshme. Ani se nuk e kanë treguar numrin e saktë të qytetarëve që kanë marrë pjesë në peticionin për shkarkimin e kryetarit, Erden Atiq, njëra nga organizatorët, Sanja Kërtiniq, ka bërë të ditur se kuota e domosdoshme është tejkaluar.
“Mund të them se jemi jashtëzakonisht të kënaqur me rezultatet. Jemi të sigurt se e kemi kaluar numrin që pritej si minimum për nënshkrimin e peticionit. Nuk do t’i paraqesim të dhënat e sakta se sa ka nënshkrime përderisa nuk e përfundojmë peticionin”, ka thënë ajo.
Kërtiniqi ka bërë të ditur se hollësitë e ecurisë së procesit do të shpalosen, pasi që të përfundojnë verifikimet e nevojshme.
“Kemi mjaftueshëm kohë për ta verifikuar secilin letërnjoftim të secilit qytetar, që t’i sjellim të dhënat saktë në mënyrë që të mos ketë ndonjë farë parregullsie të mëtutjeshme apo probleme kur ta dorëzojmë peticionin. Në momentin që e përfundojmë peticionin, do ta informojmë publikun në kohë për numrin e përgjithshëm të nënshkrimeve të mbledhura në peticion dhe se kur planifikojmë do t’i dorëzojmë”, ka theksuar ajo.
Në secilën prej katër komunave, në të cilat Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) konfirmon se peticionet kanë qenë të suksesshme, me mbledhjen e nënshkrimeve të të paktën 20-përqindëshit të trupës elektorale, më pas do të pasojë procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve. Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh dhe që të jetë i suksesshëm kërkohen 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote. Rezultati më pas do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Peticionet për shkarkimin e kryetarëve në veri po zhvillohen bazuar në Udhëzimin Administrativ, të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar në shtator të vitit të shkuar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale, pasi që serbët e komunave veriore i kanë kundërshtuar kryetarët shqiptarë. Vendosja e tyre në objektet komunave pati nxitur pakënaqësi mes serbëve lokalë, të cilët kanë zhvilluar protesta të dhunshëm kundër vendimit të Qeverisë për shoqërimin e tyre me Polici në objekte. Pas tensioneve komuniteti ka kërkuar shtensionimin e situatës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.