Plot pesë fitore i ka shënuar xhudisti Akil Gjakova të shtunën në garën Grand Prix në Zagreb të Kroacisë. Pesë fitore në një ngjarje madhore të xhudos zakonisht mjaftojnë për medaljen e artë. Akil Gjakova fitoi të bronztën në kategorinë deri 73 kilogramë.
Por, është medalje me shumë vlerë për xhudistin më të mirë në vend. Ai ka pritur më gjatë se që është menduar për medaljen e radhës në garat e Turit Botëror të Xhudos. Bëhet fjalë për garat e mëdha të xhudos, si Botëror, Masters, Grand Slam, Evropian e Grand Prix. Vjet ishte i dyti në Grand Slamin e Parisit. Këtë vit ishte i pesti në Evropian dhe i pesti para dy javësh në Grand Slamin në Abu Dabi. I kishte edhe disa gara ku u eliminua më herët. Fitoi të bronztë në Lojëra Mesdhetare, ngjarje që nuk llogaritet fort në botën e xhudos.
Dhe, me medaljen e së shtunës, Akil Gjakova ka dëshmuar se po kthehet në rrugën e sukseseve. Ai i fitoi 350 pikë në ranglistën botërore dhe përparon për disa pozita.
Synimi i madh i Gjakovës mbetet medalja olimpike. Për të shpresuar në medalje olimpike, sigurimi i normës është bazik. Dhe 30-vjeçari tani është brenda zonës që siguron normën për “Los Angeles 2028”.
Në çdo kategori lejohet nga një xhudist prej një vendi. Në kategorinë der në 73 kilogramë te Kosova garon edhe Dardan Cena. Se cili prej tyre do të udhëtojë drejt SHBA-së do të vendosë suksesi nëpër gara.
Gjakova në dy Olimpiadat e kaluara ka pasur paraqitje të mira, që megjithatë nuk u shpërblyen me medalje. Tani e synon pjesëmarrjen e tretë.
“Në kategorinë deri në 73 kilogramë konkurrenca gjithnjë është shumë e fortë. Pesë fitoret e Akilit janë shumë të vlefshme. Medalja e bronztë po ashtu. Është medalje me vlerë edhe për Olimpiadë”, ka thënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
Ai i beson punës së xhudistëve me përvojë, ndërsa i pret katër norma për “Los Angeles 2024”.
“Ishte një ditë e shkëlqyer e Akilit në Zagreb. Pikët në renditje janë shumë me rëndësi në këtë fazë. Tashmë kemi dy garues në 73 kg me gjasa për normë, Akilin e Dardanin. Por për fat të keq vetëm njëri prej tyre mund të jetë në Olimpiadën e ardhshme”, ka shtuar Kuka.
Akili mposhti xhudistë nga Rumania, Ukraina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Franca e Spanja për medaljen e parë të madhe të vitit. Humbjen e vetme e pësoi në gjysmëfinale nga gjeorgjiani Giorgi Loladze. Por pesë fitore brenda një dite dëshmojnë se Akili është ende prej xhudistëve elitarë të kategorisë deri në 73 kg.
Ekspertët e IJF-së gjatë komentimit thanë se askush nuk ka dëshirë të përballet me Akilin në garat e xhudos. Kjo kategori vlerësohet shumë e hapur, me shumë xhudistë elitarë nga pjesë të ndryshme të botës.
Ekipi i Kosovës kthehet nga Zagrebi me medalje, ndonëse në kryeqendrën kroate udhëtoi pa dy adutët kryesorë, Distria Krasniqin e Laura Fazliu. Ndonëse në periudhë sfiduese, Kosova vazhdon të fitojë medalje në ngjarjet e mëdha të xhudos.