LAJMET E MBRËMJES

Në Gjykatën Themelore, Kelmendi s’arrin ta pezullojë vendimin e KPK-së, ankohet në Apel

Në shkallën e parë gjyqësore, Besim Kelmendi nuk arrin ta pezullojë vendimin e Këshillit Prokurorial për shkarkimin e tij nga pozita e kryeprokurorit të Shtetit. Pas vendimit të Gjykatës Themelore, Kelmendi i është drejtuar Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial, me të cilin ai është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit.

Vendimi, të cilin e ka publikuar “Betimi për Drejtësi”, është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, pasi Gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së kërkuar.

Avokati i Kelmendit, Flakron Sylejmani, paralajmëroi ankesë në shkallën e dytë.

“Pas pranimit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së sigurisë, ne do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit, në pajtim me dispozitat procedurale dhe afatet ligjore në fuqi. Procedura meritore mbetet e hapur dhe në shqyrtim”, tha ai.

E, në arsyetimin e vendimit, gjykata ka theksuar se për vendosjen e masës së përkohshme duhet të ekzistojnë dy kushte kumulative: dëmi real, i rëndë dhe i pakthyeshëm për paditësin dhe mungesa e cenimit të interesit publik.

Sipas gjykatës, Kelmendi nuk arriti të provojë ekzistencën e një dëmi të pakthyeshëm, pasi detyra e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit është e përkohshme dhe humbja e saj mund të kompensohet juridikisht me vendim përfundimtar – rikthim në pozitë apo kompensim material.

Por, avokati i Kelmendit insistoi se arsyetimi i dhënë nga gjykata nuk pasqyron në mënyrë të plotë standardet e nenit 100 të Ligjit për konfliktet administrative, sidomos në pjesën që lidhet me rrezikun e dëmit të pakthyeshëm dhe peshën institucionale të funksionit që ushtronte pala.

“Këta elementë janë vendimtarë në këtë fazë dhe kërkojnë trajtim të posaçëm dhe substancial. Pozita e u. d. kryeprokurorit të Shtetit është funksion me rëndësi të veçantë institucionale dhe ndërprerja e ushtrimit të kësaj pozite, para një vendimi meritor, krijon pasoja që nuk mund të rikuperohen me mjete të mëvonshme juridike, madje edhe në rast të aprovimit të padisë”, theksoi Sylejmani.

Kryesuesi i KPK-së Ardian Hajdaraj, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, si dhe anëtarët Jetish Maloku, Ariana Shakovci dhe Milot Krasniqi, e shkarkuan Besim Kelmendin në mbledhjen e 20 nëntorit dhe e zëvendësuan atë me Agron Qalajn. Pesë anëtarë të tjerë, përfshirë Kelmendin, atë ditë u larguan nga mbledhja. Vendimi u kontestua edhe nga institucione ndërkombëtare, të cilat ngritën alarmin se vendimet e fundit të 5 anëtarëve të KPK-së synojnë pengimin e reformës së paraparë të nisë në fillim të vitit.