Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Myftiu Tërnava kritikon politikanët, u bën thirrje ta kenë prioritet interesin shtetëror

Najm ternava

Mesazhi kyç i udhëheqësit të Bashkësisë Islame për festën e Fitër Bajramit para besimtarëve ka qenë i natyrës politike. Myftiu, Naim Tërnava, i ka bërë thirrje spektrit politik që të mos e mbajë vendin peng të krizave politike dhe që ta vërë interesin e shtetit dhe të shoqërisë në rend të parë

Para qindra besimtarëve myslimanë të mbledhur mëngjesin e së premtes në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, përçoi mesazh politik me rastin e festës së Fitër Bajramit.

Në fjalimin pas faljes së namazit të Bajramit, ai adresoi kritika për politikanë dhe thirrje për unitet mes tyre.

Spektrit politik, Tërnava i kërkoi të gjejë gjuhë të përbashkët dhe t’i shmangë krizat politike, për të cilat tha se e mbajnë peng zhvillimin e shoqërisë. “Është e papranueshme që sot, në kohë paqeje dhe në kushtet e një sistemi demokratik, njerëzit të vuajnë për shkak të mungesës së vullnetit politik për kompromis, dialog, përgjegjësi dhe për pasojë zhvillimi i shoqërisë sonë të mbetet peng i krizave politike. Në momente të tilla kërkohet maturi e vetëdije e lartë shtetërore, kërkohet kulturë dialogu dhe mbi të gjitha kërkohet sakrificë për të vendosur interesin e vendit dhe të kombit mbi çdo interes tjetër”, ka thënë Tërnava.

Ai theksoi se dialogu është rruga të cilën duhet ta zgjedhë e gjithë shoqëria.

“S’ka dyshim që edhe shoqëria jonë po përballet me sfida të shumta. Shpesh shohim tensione, përçarje, vështirësi në zgjidhjen e problemeve politike apo sociale, të cilat direkt prekin jetën e qytetarit. Duhet ditur se dialogu është më i fortë se përçarja, se urtësia është më e fort se zemërimi, se përgjegjësia është më e fortë se interesi personal. Nëse këto vlera i kultivojmë në jetën shoqërore, shumë probleme do të zgjidheshin vet. Megjithatë mos të humbasim shpresën ngase shpresa është forca një gjë që e mban popullin gjatë”, ka theksuar ai.

Edhe Në Bajram, Tërnava thirrje për tolerancë politike e kompromise Arbëri Në Bajram, Tërnava thirrje për tolerancë politike e kompromise

Në kohën kur shumë njerëz në Lindje të Mesme, Festa e Bajramit i ka gjetur në mes të konflikteve, Tërnava theksoi se fetë japin mesazhe paqeje, duke ofruar udhëzime për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe bashkëpunim ndërnjerëzor dhe se dallimet mes njerëzve janë pjesë e vullnetit hyjnor.

Mesazh i ngjashëm u përçua edhe nga Shqipëria, ku udhëheqësi i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, në lutjen para besimtarëve të shumtë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë bëri thirrje për paqe në gjithë botën.