Besimtarët myslimanë sot kremtojnë festën e Kurban Bajramit.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar festës së Kurban Bajramit, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Namazi i Kurban-Bajramit është falur në orën 05:40.
Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur të mërkurën, gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.
Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, derisa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake.
Ai tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.
“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të rii. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha myftiu Tërnava.
Edhe
Besimtarët bëjnë thirrje për solidaritet dhe afërsi familjare
Ai bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të zhvillohen me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Ndërsa ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm.
“Në këtë fushatë parazgjedhore le të mos ketë vend për gjuhë të urrejtjes, fyerje, lincim, akuza të pabazuara dhe njollosje të njëri-tjetrit me akuza të pavërteta vetëm për një votë. Një fushatë e ndërtuar me përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës dhe as të ardhmes së saj. Le të mbizotërojë dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut. Le të ketë respekt të mendimit ndryshe... Mbesim me shpresë se pas këtyre zgjedhjeve, faktori politik të reflektojë me maturi dhe përgjegjësi shtetërore, që institucionet e vendit të formohen sa më shpejtë dhe të krijohet stabiliteti politik institucional për të punuar bashkërisht për të ardhmen e Kosovës, mirëqenien e qytetarëve dhe të ardhmen e të rinjve... Vetëm të bashkuar mund t’i përballojmë sfidat”, tha ai.
Krerët politikë urojnë Kurban Bajramin me mesazhe për solidaritet dhe unitet
Liderët e partive deri tash në opozitë kanë uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në urimet e tyre, ata kanë theksuar rëndësinë e afërsisë me familjen, kujdesit për njerëzit në nevojë dhe forcimit të vlerave shoqërore e shpirtërore.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në mesazhin e tij ka uruar që kjo festë të sjellë paqe, shëndet, harmoni dhe begati në çdo familje.
“Krizat do të jenë të përkohshme, përderisa angazhimi dhe vullneti ynë për ndryshim, për dinjitet dhe për një të ardhme më të mirë, do të jetë gjithmonë më i madh. Prandaj, uroj që kjo festë të shërbejë edhe si frymëzim që të jemi më të bashkuar, më afër njëri-tjetrit dhe më të vendosur për ta ndërtuar një Kosovë me më shumë mirëqenie, zhvillim dhe shpresë për çdo familje”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në urimin e tij ka vënë në pah rëndësinë e vlerave njerëzore që simbolizon kjo festë.
“Kurban Bajrami na kujton vlerat më të bukura njerëzore. Na kujton sakrificën, solidaritetin, afërsinë me njëri-tjetrin dhe kujdesin për ata që kanë më shumti nevojë. Është një ditë reflektimi, mirësie e bashkimi; një ditë që na rikujton se forca e një shoqërie matet me humanizmin, respektin dhe dashurinë që ndajmë mes vete, por edhe me besimin e falënderimin ndaj Krijuesit”, ka shkruar Abdixhiku.
Edhe ish-presidentja Vjosa Osmani ka përcjellë urimet e saj gjatë një vizite në Bashkësinë Islame të Kosovës, ku u prit nga Myftiu Naim Tërnava.
Ajo falënderoi BIK-un për angazhimin në mbështetje të familjeve në nevojë dhe për bashkëpunimin në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Edhe në këtë vizitë, përcollëm urimet tona më të sinqerta për paqe, shëndet, harmoni dhe begati në çdo familje. Kurban Bajrami na kujton vlerat e solidaritetit, mirëkuptimit dhe humanizmit, duke na afruar më shumë me njëri-tjetrin”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Vizitë në BIK ka zhvilluar edhe kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, nga ku ka thënë se Kosova dhe populli shqiptar janë me fat për harmoninë fetare, por edhe për mesazhin që Bashkësia Islame përcjell për një shtet të së drejtës.
“Ky mesazh na rikonfirmon se prioriteti kryesor i yni duhet të jetë gjithmonë një shtet human, i cili nuk e lë pas dore asnjë qytetar dhe që punon për mirëqenien e secilës familje në Kosovë”, ka shkruar Gjini.
Ipeshkvi Gjergji uron Kurban Bajramin: Të ruhet bashkëjetesa dhe të ulen tensionet politike
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, nga ora 09:00 ka nisur pranimin e urimeve me rastin e festës së Kurban Bajramit në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, ku po priten përfaqësues të institucioneve, bashkësive fetare dhe qytetarë, raporton Ekonomia Online.
Në mesin e uruesve të parë ishte ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili i përcolli urimet Myftiut Tërnava për Kurban Bajramin, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si simbol i sakrificës, mirësisë dhe solidaritetit mes njerëzve.
Ipeshkvi i Kosovës tha se Kurban Bajrami është një moment i rëndësishëm për të forcuar respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën dhe vlerat e përbashkëta ndërfetare dhe ndërnjerëzore.
“Urimet e festën e Kurban Bajramit, gjithë besimtarëve myslimanë kudo që janë në Kosovë dhe në vendet e trojeve tona, jam këtu për të shprehur urimet tona, mirënjohjen, por edhe urimet tona, me ftyt nëpër nava, gjithë bashkësisë Islame. Kështu që të dëshmojmë edhe njëherë, si gjithmonë, respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën ndërvërtare, gëzimin ndërvëllazëror, bashkëndarjen e dhimbjes dhe gëzimit, edhe në këtë rast bashkëndarjen e ndjenjave të festës, sikur është Kurban Bajrami, sepse çdo festë është një lartësim i shpirtit të drejtë Zotit, krijuesit të gjithëpushtetshëm", ka thënë ai.
Kurti e Haxhiu vizitojnë Tërnavën për Bajram: Edhe sakrifica e flijimi janë festë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë vizitës, Kurti ka uruar Myftiun Tërnava dhe besimtarët myslimanë, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite të shenjtë.
“Vizitën e parë për festën e Kurban Bajramit, si çdo vit, e bëjmë te Bashkësia Islame e Kosovës, për t’ia uruar Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij këtë festë të sakrificës, e cila na e përkujton dhe vazhdimisht na mëson se edhe sakrifica është festë, sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre që kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet, para së gjithash dëshmorët e kombit, ku asnjëherë nuk e harrojmë se aty janë edhe 37 imamë dhe hoxhallarë nga lufta çlirimtare, siç ishte UÇK-ja, e deri tek ajo që bëjmë sot si institucione të shtetit, si Bashkësi Islame dhe si shoqata bamirëse, që qytetarëve të Republikës t’u dalim në ndihmë për çdo nevojë që kanë”, tha Kurti.
Festën e Kurban Bajramit për besimtarët myslimanë e ka uruar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi vizitoi Myftiun e Kosovës, Naim Tërnavën.
Haxhiu shkroi se në thelb të kësaj feste qëndron flijimi për të mirën dhe kujdesi për tjetrin.
“Në thelb të festës së Kurban Bajramit qëndron flijimi për të mirën, përkushtimi që tejkalon vetveten dhe kujdesi për tjetrin. Në ditë si kjo, familjet afrohen, sofrat hapen, zemrat zbuten dhe kujdesi për njëri-tjetrin bëhet edhe më i dukshëm. Uroj që kjo frymë të na shoqërojë në familje, në lagje, në punë dhe në jetën tonë të përditshme”, thuhet në postimin e Haxhiut në Facebook.
Besimtarët bëjnë thirrje për solidaritet dhe afërsi familjare
Në atmosferë festive dhe me pjesëmarrje të madhe, besimtarët e shumtë u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Oborret e xhamive ishin të mbushura me besimtarë, të cilët kremtuan një nga festat më të rëndësishme islame duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe afirmiteti mes njerëzve.
Pas faljes së Kurban Bajramit, qytetarët apeluan për ndihmë ndaj shtresave në nevojë dhe forcim të lidhjeve familjare.
E, mesazhi kryesor i kësaj feste sipas Ibrahim Ilazit, është afrimi me Zotin.
“Le të jemi me Zotin. Mesazhi, edhe mesazhi më i madhi është me Zotin me qenë njerëzit. Edhe s'kisha me shtu më shumë diçka. Kurban kemi me pre, vëllezërit kanë me pre... Çmimin e ka me arsye. E kur vendoset diçka nuk është shtrenjtë për Allahun”, tha ai.
Ndërkaq, Fuat Islami uroi paqe dhe tolerancë për gjithë botën islame dhe më gjerë, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit me të varfrit dhe ruajtjes së harmonisë mes njerëzve.
“Edhe kësaj here, si herët e kaluara, të gjithë botës islame anë e mbanë rruzullit tokësor i uroj këtë festë të madhe të Kurban Bajramit. Në botë të mbretërojë paqja, harmonia, dashuria, toleranca mes njerëzve. Dhe normal të ketë, mos të ketë dallime të mëdha sociale, të shtrihet dora e të varfrit, të e atij që nuk ka, atij që ka nevojë për ndihmën e të tjerëve, të mos ketë dallime të mëdha racore, kombëtare, sociale, politike, fetare, po gjithsesi të ketë paqe, harmoni, tolerancë mes njerëzve”, tha ai
Ai shtoi se tradita e Kurban Bajramit duhet të shërbejë edhe për afrimin e familjarëve dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë.
“Edhe sot në këtë ditë të madhe të Kurban Bajramit, uroj që, siç është tradita, të vizitohen të afërmit, farefisi, të kenë domethënë më shumë afërsi mes familjarëve, mes të afërmve, të bëhet unifikimi i anëtarëve të familjes të cilët janë deri tani nuk kanë pasur mundësi të jenë afër njëri-tjetrit. Dhe normal edhe kurbani, siç është traditë, të shpërndahet më shumë tek të varfrit, tek të afërmit, tek familjarët, tek të afërmit... edhe tek shtresat, domethënë që janë me nivel shumë të ulët social. Kurse në botë të mbretërojë paqja, harmonia, dashuria mes njerëzve, të mos ketë dallime politike, të mos ketë dallime kombëtare, racore, sociale, po të ketë më shumë harmoni, tolerancë, mirëkuptim, bashkëpunim dhe normal të ketë edhe miqësi mes kombeve edhe feve të ndryshme në botë”, u shpreh Islami.
Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot ditën e parë të Kurban Bajramit. Manifestimi qendror për territorin e Kosovës u mbajt në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë.
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë nga ora 09:00 deri në orën 12:00.