LAJMET E MBRËMJES

Mijëra dronë kamikazë mbërrijnë në Kosovë

Ka arritur në Kosovë të mërkurën nga Turqia kontingjenti prej mijëra dronëve kamikazë të pajisur me mjete shpërthyese. Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas dronëve Bayraktar dhe fluturakeve Puma, po vazhdohet me shtimin e fuqisë goditëse të ushtrisë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike

Mijëra dronë luftarakë kamikazë “Skydagger” kanë arritur në Kosovë të mërkurën. Njoftimin bashkë me hollësi të tjera e ka dhënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Ai ka treguar se dronët me sistem të avancuar janë pjesë e një kontrate të nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar me një kompani turke, përkatësisht me prodhuesin kryesor të “Skydagger”. 

“Dronët ‘Skydagger’ ishte planifikuar të mbërrijnë në janar 2026, por i morëm tre muaj më herët. Këta dronë kamikazë të njohur edhe si FpV të tipit RTF (Ready to Fly) ‘Skydagger’ të prokuruar nga ne janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Me blerjen e këtij kontingjenti të fluturakeve pa pilot, krahas “TB2 Bayraktar” dhe fluturakeve “Puma”, Kurti ka thënë se po vazhdohet ngritja dhe shtimi i fuqisë goditëse të ushtrisë me qëllim ndërtimin e një force të aftë dhe koherente me zhvillimet e reja teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore. 
“Dronët u ngarkuan në kamionët multifunksional Rheinmetall 8x8 që i patëm marrë vitin e kaluar, 15 sosh gjithsej, 10 të blera nga ne dhe 5 donacion”, ka shtuar Kurti.

Blerja e armatimit parashihet me Planin Gjithëpërfshirës drejt transformimit të FSK-së në ushtri. Ajo lidhet me funksionalizmin e planifikimit në fushën e mbrojtjes me armatim personal dhe kolektiv, përkatësisht me sistemet e nevojshme që kjo strukturë ka. 

Gjatë fazës së dytë të tranzicionit, Kosova kontraktoi edhe blerjen 246 raketave antitankt “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. 

Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, përgjegjësitë e reja të FSK-së përfshijnë ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrje në operacione ndërkombëtare. 

Mbështetëset kryesore në armatosjen e Kosovës janë Shtetet e Bashkuara, Turqia, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia. 

Me një marrëveshje të nënshkruar më 16 dhjetor 2024 me kompaninë turke të armëve, MKE, Kosova synon të ndërtojë një fabrikë të municioneve të kalibrave të ndryshëm si dhe laboratorë për dizajnim të fluturakeve pa pilot.

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, më 18 mars të këtij viti u nënshkrua edhe deklarata e përbashkët trepalëshe midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës. Blerja e kapaciteteve mbrojtëse është angazhimi i parë në deklaratë për të cilën u zotuan ministrat e Mbrojtjes. Synohet që të bëhet një porosi për blerje, në vend të tri porosive të veçanta nga secili shtet.