Pas afro dy vjetësh e gjysmë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga posti. Ai bëri të ditur se nga kjo detyrë është larguar për shkaqe familjare. E në postin e tij, kryeministri Albin Kurti e emëroi menjëherë kolonelin e FSK-së, të pensionuar në fundkorrik, Ejup Maqedonci
Ministria e Mbrojtjes, prej së martës do të drejtohet nga koloneli i pensionuar i FSK-së, Ejup Maqedonci.
Emërimi i tij u bë pas lirimit nga detyra të ministrit Armend Mehaj, i cili njoftoi se ka dhënë dorëheqje shkaku i çështjeve familjare. Në Qeveri njoftuan se largimi i tij ka të bëjë me çështjet shëndetësore të bashkëshortes.
E ministri Maqedonci, nëpërmjet një njoftimi në Facebook, i shpalosi synimet për detyrën që e mori.
“Pas 25 vjetësh me uniformë, nga sot ka nisur një kapitull i ri për mua si ushtarak, por që mbetet brenda së njëjtës shtëpi dhe me të njëjtat synime: forcimin e vazhdueshëm të Ushtrisë së Kosovës dhe anëtarësimin e shtetit tonë në NATO, krah partnerëve tanë dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Maqedonci.
Para emërimit të tij, kryeministri Albin Kurti e lavdëroi punën prej dy vjetësh e gjysmë të Mehajt në krye të Ministrisë.
“Sot, me kërkesë të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të Mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione të tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë. Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari”, tha Kurti.
Vlerësime për të u adresuan edhe nga ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbot.
“Më vjen keq të dëgjoj se Armend Mehaj ka dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes. I jam mirënjohës për kontributin e tij pozitiv në marrëdhëniet e mbrojtjes Mbretëri e Bashkuar-Kosovë gjatë dy vjetëve e gjysmë të fundit dhe i uroj atij çdo të mirë në të ardhmen”, tha Abbott.
Por në opozitë u ngritën dyshime mbi shkaqet e dorëheqjes së tij. Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se krahas Mehajt duhet të dorëhiqen apo të shkarkohen edhe ministra të tjerë.
“Ka nevojë që të japë disa përgjigje para se të largohet, çfarë ka ndodhur me fondin e sigurisë, cila është arsyeja e vërtetë e largimit të tij, a janë të vërteta pretendimet se ka pasur mospajtime deri në përplasje fizike… Kryeministri pikësëpari duhet filluar nga vetja, por edhe shumë ministra që kanë dëshmuar shkallë të lartë të papërgjegjshmërisë duhet të shkojnë në shtëpi”, tha Çitaku.
Mehaj është ministri i tretë që është larguar nga kabineti qeverisës, pas ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi e atij për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.
Për këtë, Visar Azemi i LDK-së ia barti fajin kryeministrit Kurti.
“Dy nga tre ministrat që i solli nga diaspora, Albin Kurtit i ikën nga Qeveria. Fillimisht detyrën ia la Rifat Latifi, e sot Armend Mehaj. Vetëm Donika Gërvalla po i qëndron akoma në qeveri, e të cilën do të bënte mirë ta shkarkonte vetë. Trurin që u zotua se do ta kthente prej jashtë, nuk po arrin ta mbajë. Zaten po e kuptojnë se me të s’bëhet një punë e hairit. Dhe ashtu është”, tha Azemi.
Mehaj i është bashkuar Qeverisë Kurti në mars të vitit 2021.