LAJMET E MBRËMJES

Me gjashtë muaj vonesë funksionalizohet rezonanca magnetike në Spitalin e Pediatrisë

Spitali i Pediatrisë që nga java e ardhshme pritet të ofrojë edhe shërbimin e rezonancës magnetike, ndonëse kjo ishte premtuar që do të funksionalizohej që nga janari i këtij viti. Në përurimin e kësaj pajisjeje morën pjesë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilët premtuan edhe për pajisje të spitaleve të tjera me rezonancë magnetike.

Ndonëse ishte premtuar që do të funksionalizohej në janar, tek të hënën u përurua rezonanca magnetike në Spitalin Pediatrisë në QKUK.

Për këtë projekt të realizuar nga një donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe kryeministri Kurti uroi stafin shëndetësor dhe tha se kjo përbën një të arritur shumë të rëndësishme.

Kurti ka thënë se dëshirojnë të ketë sa më shumë decentralizim të shërbimeve mjekësore, andaj, sipas tij, në vjeshtë edhe Prizreni do të bëhet me rezonancë magnetike.

“Pas funksionalizimit të rezonancës magnetike në Spitalin e Pejës, po e bëjmë këtë edhe në Spitalin Pediatrisë këtu në QKUK, ndërkaq në vjeshtë do ta kemi rezonancën magnetike edhe në Spitalin e Prizrenit. Në njërën anë ne dëshirojmë që të ketë decentralizim të shërbimeve gjithnjë e më cilësore, të ketë diagnostikim sa më të mirë për të gjithë pacientët dhe të ketë lista sa më të shkurta të pritjes për pacientët”, ka deklaruar Kurti.

E ministri Vitia tha se ky përurim vjen pas një intensifikimi të punëve, ndër të tjera edhe për të shkurtuar listën e pritjeve për trajtim.

“Është në vazhdën e punës që jemi duke e bërë kohëve të fundit, realisht me një intensitet të shtuar për të shkurtuar edhe listat e pritjes në njërën anë edhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për pacientët tanë”, ka theksuar Vitia.

Pacientët ende nuk mund të marrin shërbimin që ofron rezonanca magnetike, pasi vetëm sa ka filluar trajnimi njëjavor i stafit, për të punuar me rezonancën magnetike.