Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti zotohet për investime të reja në shëndetësi

Kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, morën pjesë në përurimin e rezonancës në Spitalin e Pediatrisë në QKUK, nga ku thanë se po punojnë për ndërtim të rezonancave edhe në qytete të tjera.

Kurti deklaroi të hënën se në vjeshtë edhe Prizreni do të bëhet me rezonancë magnetike, derisa falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për donacionin.

“Pas funksionalizmit të rezonancës magnetike më spitalin e Pejës, po e bëjmë këtë edhe në spitalin Pediatrik këtu në QKUK. Ndërkaq në vjeshtë do ta kemi edhe rezonancën magnetike në spitalin e Prizrenit. Në njërën anë ne dëshirojmë që të kemi sa më shumë decentralizim të shërbimeve gjithnjë e më cilësore të ketë diagnostikim sa më të mirë për të gjithë pacientë e të ketë gjithashtu edhe lista sa më të shkurtra për pacientët”, deklaroi ai.

Ndërsa, ministri Vitia tha se në Klinikën e Neurokirurgjisë është një projekt me teknologji moderne për intervenimin e shumë rasteve.

Ai ka thënë se janë duke punuar me intensitet të shtuar për t’i shkurtuar listat e pritjes, e edhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve.

“Është në vazhdën e punës të cilën jemi duke e bërë kohën e fundit realisht me një intensitet të shtuar për të shkurtuar edhe listave pritjes në një anë edhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve. Janë edhe disa projekte të rëndësishme që janë duke u kryer që deri në vjeshtën e këtij viti përveç rezonancës në Prizren edhe përveç pjesës diagnostikuese, janë edhe pjesë intervenuese ku në vetëm në Neurokirurgji tani është një proces një projekt me teknologjinë më moderne për intervenimin e shumë rasteve të cilat deri më tani për shkaqe të ndryshme, për shkak të mungesë së këtyre pajisjeve, fatkeqësisht pacientët tanë është dashur që të kërkojnë ndihmë jashtë institucioneve publike shëndetësore. Është bërë lista prej 42 milionë eurove investime e cila do të adresojë investime në infrastrukturë e edhe në pajisje”, tha Vitia.

Edhe Me gjashtë muaj vonesë funksionalizohet rezonanca magnetike në Spitalin e Pediatrisë LAJMET E MBRËMJES Me gjashtë muaj vonesë funksionalizohet rezonanca magnetike në Spitalin e Pediatrisë

Drejtoresha e Pediatrisë në QKUK, Naqize Hoxhaj, tha se me funksionalizimin e kësaj rezonance do të zvogëlohen listat e pritjes dhe fëmijët do ta marrin shërbimin menjëherë.

“Kjo është rezonanca e tretë magnetike në QKUK që është, por kjo është e dedikuar vetëm për fëmijët. Rezonancat e tjera kanë punuar. Ne besojmë që tash me marrjen e kësaj rezonance me fillimin e punës me këtë rezonancë, do të zvogëlohen listat e pritjes dhe fëmijët do ta marrin shërbimin menjëherë”, tha ajo./eo