Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Mbyllen gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore, vepronte ilegalisht në Kosovë

Pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, Policia e Kosovës të hënën ka ndërmarrë aksion për mbylljen e gjashtë njësive të Bankës Postare Kursimore në veri. Derisa aksioni u monitorua nga EULEX-i dhe KFOR-i, disa qytetarë serbë zhvilluan një aksion simbolik tek thanë se kjo situatë është e papërballueshme për ta. Aksioni u ndërmor pak ditë pas dështimit të gjetjes së një zgjidhjeje për zbatimin e Rregullores së BQK-së në veri

Policia e Kosovës ka mbyllur të hënën gjashtë njësi të Bankës Postare Kursimore në veri, të cilat kanë vepruar ilegalisht që nga paslufta. Sipas zëvendëskomandantit të Policisë për veri, aksioni u zhvillua pas dyshimeve se disa biznese po zhvillojnë veprimtari të kundërligjshme.

“Dyshohet për çdo veprimtari të mundshme kriminale, nga mosregjistrimi i biznesit, evazioni fiskal e gjëra tjera. Policia gjendet në këto pika me ATK-në dhe se mund të përfshihet më vonë edhe njësiti i krimeve ekonomike”, ka theksuar zëvendësdrejtor i Policisë në veri, Veton Elshani. 

E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se mbyllja e këtyre njësive është në kuadër masave për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri. 

“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të së ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Aksioni i Policisë së Kosovës është monitoruar nga pjesëtarët e EULEX-it dhe të KFOR-it.
Ndërkaq disa qytetarë serbë, bashkë me zyrtarë të Partisë opozitare “Demokracia Serbe” zhvilluan një aksion simbolik duke hedhur miell, vezë e gjëra të tjera ushqimore para automjetit të parkuar të Policisë para ndërtesës së bankës.

Edhe Policia sërish në Bankën Postare Kursimore në veri, për kasafortën që më herët s’pati çelës Arbëri Policia sërish në Bankën Postare Kursimore në veri, për kasafortën që më herët s’pati çelës

“Do të detyrohemi që t’i marrim tërheqim pagesat me dinarë në Rashkë e vende të tjera në Serbi. Kohët e fundit ka pasur sasi më të vogla të dinarit që është sjellë këtu, por tash po duan t’i marrin të gjitha. Kjo vë në pikëpyetje mbijetesën e serbëve në Kosovë”, ka deklaruar Stefan Veljkoviq nga Demokracia Serbe.

Ndërkaq drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, aksionin e ka ndërlidhur me dështimin që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. 

“Sipas urdhrit personal të Albin Kurtit, në ora 15:15 policia ka bastisur të gjitha degët e Bankës së Kursimeve Postare dhe Departamentit të Thesarit në të katër komunat në veri të Kosovës. Kurti ka pritur që të kalojë dialogu dhe pasi përjetoi dështimin e mos anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërmori lëvizje të re të njëanshme me synimin që të nxisë trazira dhe kaos”, ka vlerësuar Petkoviq. 

Ka reaguar edhe kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Përmes Bankës Kursimore distribuohen pagat, pagesat për skemat sociale dhe beneficionet tjera që Serbia i ndan për serbët e Kosovës në dinarë.

Edhe KFOR-i thotë se u njoftua “pak para” aksionit të Policisë në Bankën Postare Kursimore Arbëri KFOR-i thotë se u njoftua “pak para” aksionit të Policisë në Bankën Postare Kursimore

E aksioni u ndërmor pak ditë pasi dështoi edhe takimi i shtatë në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket dinarit në mesin e komunitetit serb. 

Sipas rregullores së BQK-së, që u miratua në shkurt të këtij viti, valuta me të cilën mund të kryhen pagesat me para të gatshme është vetëm Euro.