LAJMET E MBRËMJES

Luftë mes Komunës së Prishtinës e KRM “Pastrimi” për faturimin e mbeturinave

Komuna e Prishtinës gjatë të hënës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme me mbeturina në kryeqytet. Kjo është bërë në ditën kur i ka skaduar kontrata operatorit “Alko Impex”, që për një vit i ka grumbulluar mbeturinat e qendrës së qytetit.

Me rregulloren e re për mbeturina, të miratuar në asamble në dhjetor të vitit të kaluar e të iniciuar nga PDK-ja, e ndihmuar nga LVV-ja, kompania rajonale “Pastrimi” është e vetmja për grumbullimin e mbeturinave. 

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka fajësuar opozitën në krye me LVV-në dhe PDK-në, për siç ka thënë, “situatën alarmante” me mbeturina.

“Prej që ka ardhur (Bekim v.j.) Brestovci gjendja është përmirësuar. Por dikujt si duket i ka penguar, LVV-ja dhe PDK-ja me rregullore e kanë ndaluar. Gjendja kësisoj po përkeqësohet, gjendjen emergjente që e kemi shpallur do ta vazhdojmë edhe tash”, ka thënë Rama.

Deri në fund të vitit, tarifimi për mbeturina bëhej nga Komuna, e cila e paguante “Pastrimin” për shërbim, por me rregulloren e re, nga 1 janari, kjo përgjegjësi do t’i kthehet kompanisë “Pastrimi”.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci, ka paralajmëruar se nëse nuk ndryshohet asgjë, situata me mbeturinat do të përkeqësohet në muajt vazhdues.

“Efekti i madh i arritur dhe tentativa jonë për qytetin me të pasur në rajon. Kjo ka dërguar sinjale politike. LVV dhe PDK kanë marrë vendime që bien ndesh me ligjin fatbardhësisht. Kemi një keqësim të gjendjes sidomos në sektorin ku e mbulon ‘Pastrimi’, do të kemi gjendje alarmante edhe në qendër”, ka thënë Brestovci.

Në këto deklarata, ka reaguar menjëherë LVV-ja.

Gëzim Sveçla, nga kjo parti, e ka quajtur abuzim me publikun lojën që, sipas tij, po bën Komuna me “Pastrimin”.

“Problemi i mbeturinave në Prishtinë është lufta mes LDK-së, që qeveris kryeqytetin, dhe PDK-së, që menaxhon ndërmarrjen “Pastrimi”. E para e ka qëllim privatizimin, e dyta po abuzon me publikun. Prej luftës së tyre po pësojnë Prishtina dhe banorët e saj”, ka thënë Sveçla.

E kryeshefi i KRM-së “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka deklaruar se Rama po tenton ta eliminojë këtë ndërmarrje në mënyrë që tenderët, sipas tij, t’ua japë miqve të tij.

“Rama po manipulon me mbeturinat për t’ua dhënë tenderët miqve të tij. Deri sot në orën 9:00 të mëngjesit, Rama nuk na i kishte dorëzuar as kamionët dhe kontejnerët e blerë, as dokumentet e tyre për regjistrim. Vetëm pak para konferencës, rreth orës 9:00, ai dorëzoi disa prej tyre, por jo të gjithë, pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Ky është një tjetër tregues i qartë i manovrave për të bllokuar shërbimet publike dhe për të krijuar kaos të qëllimshëm”, ka thënë ai.

Para disa javësh Rama dhe Reçica kishin nënshkruar një marrëveshje përmes së cilës Komuna kishte blerë 6 kamionë për mbledhjen e mbeturinave për këtë kompani, por dy prej tyre Komuna i ka ndalur për vete.

Kamionët ende nuk janë vënë në përdorim, pasi janë duke qëndruar në oborrin e objektit të ri të Komunës së Prishtinës.