Mundësinë për mandatin e katërt në krye të Drenasit, Partia Demokratike e Kosovës nuk ia ka dhënë kryetarit të deritanishëm, Ramiz Lladrovci. Por, Lladrovci ka paralajmëruar se nuk do të jetë plotësisht jashtë garës lokale. E njohësit e çështjeve politike e kanë vlerësuar të gabuar vendimin e PDK-së për të kandiduar me tjetër kandidat në Drenas
Mandatin e katërt në krye të Drenasit, Ramiz Lladrovci do ta synojë edhe pa përkrahjen e Partisë Demokratike të Kosovës.
Që nga njoftimi i bërë të dielën nga PDK-ja, se do ta lërë jashtë garës lokale, Lladrovci në dy adresime ka njoftuar se nuk do të heqë dorë nga synimi për udhëheqjen e Drenasit edhe për katër vjet të tjerë.
“E kam ditur se puna ime me përkushtim, sinqeriteti dhe vendosmëria për qeverisjen shembullore dhe me duar të pastra, pa iu nënshtruar keqbërësve, e merr përkrahjen dhe simpatinë jo vetëm nga qytetarët e Komunës së Drenasit, por gjithandej trojeve shqiptare. Faleminderit, bashkë, vazhdojmë, +4!”, ka thënë Lladrovci.
Mosrikandidimi i Lladrovcit për kryetar të Drenasit, sipas analistit të politikave publike në Institutin GAP, do të ketë pasoja për PDK-në.
“Ky është një vendim i cili do të shënojë autogol për PDK-në dhe, madje nëpërmjet këtij vendimi, unë gjykoj se i ka sfiduar edhe kandidatët potencialisht të mirë nëpër komunat e tjera jo vetëm në Drenas, për shkak se qytetarët kanë arsye të besojnë ose të dyshojnë në efektivitetin që do ta ketë ky kandidat në komunën përkatëse, për faktin se mund të krijohet bindja që dikush tjetër mund të udhëheqë në komunat përkatëse”, ka thënë Salihu.
Sipas Salihut, vendimi i PDK-së është marrë për shkak të ndikimeve të ndryshme dhe si ndëshkim për qëndrimet publike të kryetarit të Drenasit.
“Gjykoj se ka qenë vendim jo i duhur, jo i merituar ndaj z. Lladrovci dhe në të njëjtën kohë gjykoj se mesazhi që e ka dhënë PDK-ja në përgjithësi është që në këtë parti ka nevojë për përmirësim e ndryshim të madh, për shkak të ndikimeve që vijnë nga eksponentë qoftë financiarë, qoftë të tjerë që mund të jenë në pah”, ka thënë Salihu.
Në Drenas PDK-ja do të garojë me Petrit Hajdarin për kryetar të komunës.
Vendimi për këtë komune dhe të tjera është marrë të dielën në Kryesinë e PDK-së.
Tri mandatet e para Lladrovci i ka fituar nën siglën e PDK-së.
Përveç Lladrovcit në Drenas, PDK-ja nuk e ka rikandiduar as Fadil Nurën në Skenderaj, Bedri Hamzën në Mitrovicë dhe Besim Ilazin në Kaçanik.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor.