Arbëri

PDK-ja miraton listën e kandidatëve për zgjedhjet komunale, Hajdari në vend të Lladrovcit për Drenas

PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka miratuar listën e kandidatëve për kryetarë të komunave.

Ndryshime në këtë listë janë parë në katër komuna, mes tyre edhe në Drenas. Në rast të fitores së partisë nëkëtë komunë, ulësen e Ramiz Lladrovcit do ta zë Petrit Hajdari. 

“PDK miraton listën e kandidatëve për kryetarë të komunave: Ndërron katër kryetarë aktualë Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, si dhe është miratuar lista përfundimtare e kandidatëve për kryetarë të komunave”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kjo parti. 

Ndërsa ndryshimet tjera do të jenë në komunën e Skenderajt, ku në vend të Fadil Nurës do të jetë Sami Lushtaku. 

Edhe në Mitrovicë nuk do të garojë Bedri Hamza. Në vend të tij është vendosur Arian Tahiri. 

Edhe në komunën e Kacanikut nuk do të garojë Besim Ilazi, por Sabedin Vishi .

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për kontributin e katër kryetarëve aktualë të komunave: Bedri Hamza (Mitrovicë), Ramiz Lladrovci (Drenas), Fadil Nura (Skenderaj) dhe Besim Ilazi (Kaçanik), të cilët nuk janë kandidatë në këto zgjedhje, por që gjatë mandatit të tyre kanë ofruar një qeverisje efikase për qytetarët dhe një përfaqësim dinjitoz të vlerave të PDK-së”, thuhet tutje në njoftim.  

Në një postim në Facebook, Hajdari ka ftuar për “unifikim”. 

“Drenasi është vendi ku jam rritur e formuar dhe arsyeja pse jam në politikë. Me nderim të lartë e falënderim të sinqertë për kryetarin Memli Krasniqi dhe kryesinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pranuar konfirmimin e kandidaturës sime për kryetar të Komunës së Drenasit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.  Rrugëtimi im me PDK-në ka qenë i gjatë, sfidues por jashtëzakonisht krenar. Sot, edhe zyrtarisht, si kandidat i PDK-së për kryetar të komunës së Drenasit, i ftoj të gjithë për unifikim, bashkim e rrugëtim përpara ashtu siç i takon PDK-së në Drenas: bashkë e fuqishëm”, ka shkruar Hajdari.  

Kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka paralajmëruar se do të garojë edhe për një mandat, ani pse Partia Demokratike e Kosovës nuk e ka propozuar atë si kandidat për kryetar të kësaj komune. PDK-ja ka vendosur ta propozojë Petrit Hajdarin për zgjedhjet si kandidat për kryetar të Drenasit.

“Deri sot nuk jam rrëzuar, kush më njeh me mbi katër dekada këtë e di.  Respekt për votat pro dhe kundër në seli të PDK-së, po ashtu, faleminderit atyre që nuk morën pjesë në votim. Ky është fillimi i fundit politik për bedelët dhe përkrahësit e tyre. Qytetarët e komunës së Drenasit e kanë fjalën e fundit, bashkë, vazhdojmë, +4!” – ka shkruar Lladrovci në Facebook. 

Lladrovci ka qenë kryetar i Drenasit nga fundi i vitit 2016.