Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuza për terrorizëm katër të dyshuarit për sulmit me minahedhës në Kuvend gjatë vitit 2016. Kryetari i trupit, Vesel Ismajli, tha se provat e ofruara nga Prokuroria Speciale nuk e vërtetuan fajësinë që të akuzuarve u vihej për barrë
Katër të akuzuarit për sulmin me minahedhës në ndërtesën e Kuvendit në vitin 2016, Gjykata Themelore e Prishtinës i ka liruar të martën nga akuza për terrorizëm.
Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti e Adea Batusha akuzoheshin nga Prokuroria për sulm terrorist me qëllim të frikësimit të institucioneve e qytetarëve kundër miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
Vesel Ismajli, kryetari i trupit gjykues, tha se provat e Prokurorisë Speciale nuk e vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve për veprat që u vihen në barrë.
“Nga dëshmitë e dëshmitarëve të cilët janë dëgjuar gjatë shqyrtimeve gjyqësore, por edhe nga dëshmitë e tyre në fazat e tjera të procedurës penale, nuk është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer këtë vepër penale për të cilën akuzohen në aktakuzë. Për shembull, dëshmitari Eset Ramadani, shitës i motoçikletës mes të tjerash ka theksuar se tre persona që kanë blerë motoçikletën ‘më kanë thënë se janë kah rrethi i Rahovecit’, por edhe dialektet e të folurit i kishin nga ai regjion, gjë që në realitet asnjë nga të akuzuarit që edhe tani janë në sallë nuk janë nga ai regjion’”, ka theksuar Ismajli.
I liruari nga akuza, Frashër Krasniqi tha se vendimi e konfirmoi pafajësinë e tij dhe të tre të akuzuarve të tjerë.
“Prej fillimit e kemi ditur që faktet dhe provat janë në anën tonë, pra, e vërtetojnë pafajësinë tonë. Sot më në fund ky trup gjykues vendosi, jo vetëm të marrë vendim për të na liruar si të pafajshëm, por vendosi t’i dëgjojë dhe t’i shohë provat e këtij rasti dhe të vendosë në bazë të drejtësisë, në mënyrë të paanshme”, është shprehur Krasniqi.
Në nëntorin e 2017-s, kjo gjykatë, për të njëjtën akuzë, i pati dënuar Krasniqin me 8 vjet burgim, Arifin me 6 vjet, Halitin me 5 vjet e gjysmë e Batushën me 2 vjet burgim.
Apeli e ktheu rastin në rigjykim në shkurtin e 2018-s, pasi nuk gjeti prova të mjaftueshme për dënimin e tyre. I akuzuari i pestë rreth sulmit, Astrit Dehari, vdiq në Qendrën e paraburgimit në Prizren, në nëntorin e vitit 2016.