Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari në rastin e “53- milionëshit”, ish-ministri Pal Lekaj, ka theksuar se shuma iu dha kompanisë Bechtel&Enka, me qëllimin për të mos e dëmtuar buxhetin e shtetit. Në një moment, ai ka thënë se ka qenë i detyruar ta realizoi pagesën, dhe ia atribuoi përgjegjësinë Qeverisë për vendimin
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili tani është deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë të martën se e ka mbrojtur buxhetin, derisa dha versionin e tij në procesin gjyqësor ku akuzohet për korrupsion, në rastin e njohur si 53-milionëshi.
Prokuroria akuzon Lekajn me bashkëpunëtorë se kanë ndarë shumë më të madhe sesa është dashur, për t’u përfunduar projekti i autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai ka thënë që vendimin për ta ndarë këtë shumë, e bëri për të mirën e vendit.
“Kam vendosur që të nënshkruaj një kontratë të tillë që mos ta dëmtoj më shumë buxhetin e Kosovës”, ka theksuar Lekaj në gjykatë.
Ai ka thënë se ka qenë i detyruar ta realizojë pagesën, dhe ia atribuoi përgjegjësinë Qeverisë për vendimin që shuma t’i ndahet kompanisë.
Edhe
“53-milionëshi”, përfaqësuesi i “Hill International” thotë se ministria e pati opinionin e tij, por e injoroi
“Çështja me tërë dokumentacionin ka shkuar në qeveri, së pari është miratuar në komitetin unanimisht dhe nuk kemi pasur asnjë vërejtje dhe është deleguar për aprovim në Qeverinë e Kosovës, e po ashtu në qeveri është miratuar unanimisht pa asnjë vërejtje dhe atëherë jemi detyruar nga vendimi i Qeverisë së Kosovës edhe Ministria e Financave që të sigurojë të holla, buxhetin për të paguar shumën prej 53 milionësh”, ka insistuar ish-ministri i Infrastrukturës.
Lekaj akuzohet se pikërisht komitetit ndërministror nuk ia prezantoi opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, sipas të cilit dëmshpërblimi ndaj “Bechtel&Enkas” duhej të ishte 14 milionë euro, e jo 53 milionë.
Ish-ministri ka thënë se nuk e ka pasur këtë opinion.
“Kurrë dokument të ‘Hill’ nuk kam pasur, nuk kam poseduar në dorë, sa i përket opinionit të tyre, që ka thënë që nuk bënë të paguhen këto dy pozicione, kurrë”, ka thënë.
Në seancën e së hënës, ku dëshmoi përfaqësuesi i kompanisë “Hill International”, tha se opinioni i është përcjellë Qeverisë 6 muaj para se të merret vendimi.
Lekaj tha se pagesa është bërë, pasi, sipas tij, ka ekzistuar rreziku që çështja të shkojë në arbitrazh e kjo t’i kushtojë Kosovës edhe më shumë. Ai fajësoi qeverinë paraprake të udhëhequr nga Isa Mustafa se nuk ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për zbatimin e projektit të autostradës.
Edhe
Lekaj për 53 milionët: Kam vepruar që mos ta çojë Kosovën në Arbitrazh
E, ish-ministri i Infrastrukturës në atë legjislaturë, Lutfi Zharku, gjatë dëshmisë së dhënë në fillim të tetorit e cilësoi të jashtëligjshëm vendimin për t’i ndarë 53 milionët, kurse ish-ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ishin kryer të gjitha obligimet financiare për kohën sa ka qenë ministër.
Krahas Lekajt, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë edhe ish-këshilltari i lartë politik i tij, Eset Berisha, ish-sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, Nebih Shatri, si dhe ish-drejtori i Prokurimit Publik në këtë ministri, Besim Tahiri. Ata akuzohen se i shkaktuan buxhetit të shtetit dëm prej 38 milionë eurosh, duke ia paguar “Bechtel&Enkas” 53 milionë euro e jo 14 sa ka sugjeruar kompania mbikëqyrëse.