Arbëri

“53-milionëshi”, përfaqësuesi i “Hill International” thotë se ministria e pati opinionin e tij, por e injoroi

Në procesin gjyqësor, ku i akuzuar është edhe ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, për rastin e njohur si “53 milionëshi”, dëshmitari Georgios Papaioannou ka dëshmuar të hënën nëpërmjet videolidhjes dhe u shpreh se opinioni i kompanisë që përfaqëson ishte për një dëmshpërblim shumë më të vogël se që u pagua. Lekaj dhe tre zyrtarë të tjerë akuzohen se i shkaktuan buxhetit dëm prej 38 milionë eurosh

Dëshmitari Georgios Papaioannou, përfaqësues i kompanisë “Hill International”, e kontraktuar për të mbikëqyrur zbatimin e projektit të ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, ka thënë se kontrata nuk e ka ndaluar Ministrinë e Infrastrukturës që të merret vesh me kompaninë “Bechtel&Enka” për dëmshpërblimin pa praninë e kompanisë mbikëqyrëse.

Në procesin gjyqësor, ku i akuzuar është edhe ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, për rastin e njohur si “53 milionëshi”, dëshmitari Papaioannou ka dëshmuar të hënën nëpërmjet videolidhjes dhe u shpreh se opinioni i kompanisë që përfaqëson ishte për një dëmshpërblim shumë më të vogël se që u pagua.

Kompania punëkryese “Bechtel&Enka” pati arsyetuar kërkesën për dëmshpërblim prej 53 milionë eurosh bazuar në 3 pika të kontratës e, sipas dëshmitarit Papaioannou, vetëm e para, kohëzgjatja e punimeve, ishte e arsyetueshme, ndërsa dy të tjerat nuk kanë pasur argumentim bindës. Për këtë pikë “Hill International” pati dhënë opinionin që “Bechtel&Enka” të dëmshpërblehet me rreth 14 milionë euro.

“Ne e dhamë opinionin tonë për 14.778 milionë euro në dhjetor të vitit 2017, vendimi për t’u paguar 53 milionët është marrë apo ishte publikuar më 5 qershor 2018. Pra, çka kemi si fakt, është se Ministria e posedonte opinionin tonë që nga dhjetori 2017 dhe pas 6 muajsh diskutimesh vendosi të paguante 53.3 milionë euro”, ka thënë dëshmitari grek.

Avokati i Pal Lekajt, Musa Damati, e ka pyetur dëshmitarin se nëse nuk do të paguheshin 53 milionët, a do të shkonte çështja në arbitrazh, mirëpo dëshmitari u përgjigj se nuk ka se si ta dijë këtë punë.

Në rastin e njohur si “53-milionëshi”, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik, Nebih Shatri, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, si dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.

Ata akuzohen se i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 38 milionë eurosh.