Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se në rastin ku akuzohet për aferën e 53 milionë eurove gjatë kohës sa ishte ministër i Infrastrukturës në Qeverisë Haradinaj, ka marrë veprime që Kosova të mos përfundojë në Arbitrazh.
Lekaj ka përsëritur se beson 100 për qind që është i pafajshëm, ndërsa do të flasë më shumë pasi të përfundojë gjykimi.
“Nuk i iki përgjegjësisë sime dhe procesi është duke u gjykuar. Janë dëshmitarët duke thënë të veten. Me ndërgjegjen më të pastër, kam marrë veprime që mos ta çojë Kosovën në Arbitrazh. 100 për qind besoj në pafajësinë time. E di pse është marrë veprimi. Drejtësia do ta thotë të veten dhe unë do të flasë pas kësaj”, ka thënë Lekaj në “60 Minuta” të KTV-së të premten.
Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konsorciumun “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, është një nga aferat më të diskutuara në Kosovë.
Më shumë se dy vjet me parë KOHA pati siguruar një raport të kompanisë “Hill”, e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas dokumentit, detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro. Por, Lekaj nuk e kishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri e në mungesë të tij Ekzekutivi e kishte aprovuar pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë që e ka ndërtuar autostradën.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, më 27 shtator 2017, Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër.