Ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Në të përveç Saranda Bogujevcit të VV-së mungoi edhe Kujtim Shala nga LDK-ja. Mospjesëmarrja e nënkryetarit të LDK-së në mbledhje është një nga veprimet që kjo parti opozitare ka ndërmarrë si përgjigje ndaj situatës së krijuar, pas sanksionimit të Kosovës nga BE-ja. Masa të tjera pritet të vendosen së shpejti, derisa veprime të ngjashme pritet të merren edhe PDK-ja.
Partitë opozitare kanë vënë në lëvizje veprimet e tyre, pas konfirmimit të masave sanksionuese të BE-së ndaj Kosovës.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do të bojkotojë pjesëmarrjen në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit.
Në mungesë të nënkryetarit të LDK-së, Kujtim Shala, të hënën dështoi mbledhja e planifikuar.
Përveç mbledhjeve të Kryesisë, nga kjo parti opozitare paralajmëruan edhe veprime të tjera, të cilat do të dakordohen në takimet e organeve të partisë.
“Ne si GP vlerësojmë se është e dëmshme për Kosovën dhe është e pamundur që të sillemi në mënyrë normale sikur nuk ka ndodhur asgjë, prandaj nuk do të marrim pjesë në mbledhjen e kryesisë as në të ardhmen dhe për masat dhe veprimet e mëtutjeshme do të merren vendimet në kryesinë e partisë shumë shpejt””, ka theksuar Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.
Nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, të hënën është njoftuar se nisur nga mesi i kësaj jave do të zhvillojnë takimet e paralajmëruar me opinionistë e gazetarë, me shoqërinë civile, profesorë universitarë e biznese të sektorit privat.
Veprime paralajmëruan se do të ndërmarrin edhe nga PDK-ja.
“Ju e pat edhe sot që ky forum i dështum, ky kuvend i dështum se tash po flasim për një parlament që realisht është i dështum, që nuk e meriton me vazhdu as edhe një ditë të vetme, që nuk e meriton me shpenzu as edhe një cent të vetëm nga taksat e qytetarëve të republikë ssë Kosovës, sepse ka blloku komplet agjendën e vendit…”, ka deklaruar Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.
Lidhur me situatën e krijuar pas masave të vendosura nga BE-ja, është diskutuar në Këshillin Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës
Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, para mbledhjes ka thënë se e kanë obligim kombëtar që të merren vendime të guximshme e të drejta, më qëllim që të ruhet trajektorja euroatlantike e Kosovës.
Sipas saj, asnjëherë më parë në këto tri dekada Kosova nuk ka qenë më e vetmuar, më e izoluar, më e përjashtuar.
Ndërsa në reagimin e saj pas masave, partia e Ramush Haradinajt ka thënë se është momenti i fundit që të përkrahet mocioni ndaj Qeverisë Kurti.
E nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kërkuan që qëndrimet politike të mbahen larg Kryesisë së Kuvendit.
“Sot kryetari edhe një herë në komunikim me udhëheqësit e grupeve parlamentare dhe anëtarët e kryesisë që ishin prezentë deklaroi se është mirë që mbarëvajtjen e punës së Kuvendit partitë politike të mbajnë një qëndrim të veçante në raport me kryesinë për shkak se si një trup i veçante i cili dakordohet dhe organizohen mbajtjen e seancave duhet të ndahet nga qëndrimet politike që kanë grupet politike, në veçanti këto të opozitës në seancë”, ka theksuar Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të LVV-së.
Në fund të javës nga Bashkimi Evropian konfirmuan hyrjen në fuqi të masave ndaj Kosovës.
Masat përfshijnë suspendim të punës së komisioneve të përbashkëta mes BE-së dhe Kosovës, mosdërgimin e ftesave zyrtarëve të Kosovës, pushim të programeve për Kosovës nga IPA 2024 e të tjera.