Partia në pushtet – Vetëvendosje ka humbur shumicën në Kryesinë e Kuvendit për shkak të pushimit të lehonisë së nënkryetares Saranda Bogujevci. E në mungesë të saj dhe të nënkryetarit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala, të hënën ka dështuar të mbahet mbledhja e Kryesisë. Për dështimin, pushteti e opozita kanë fajësuar njëra-tjetrën. E me kërkesë të PDK-së këtë javë do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi
Mungesa e dy nënkryetarëve të Kuvendit, Saranda Bogujevcit nga partia në pushtet Vetëvendosje, dhe e Kujtim Shalës nga partia në opozitë LDK, ka bërë që mbledhja e Kryesisë të hënën të përmbyllet pa ndonjë vendim për mungesë kuorumi.
Në rend të ditës ishte caktimi i seancës ku do të diskutoheshin pikat e përfunduara qysh në muajin shkurt.
Kryetarja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se Bogujevci është në pushim të lehonisë, derisa Shala, sipas saj, nuk ka dhënë arsyetim për mospjesëmarrje në mbledhje.
Për mungesë kuorumi në Kryesi e në seanca, Abelard Tahiri nga PDK-ja fajësoi partinë në pushtet.
“Këtë legjislaturë që drejtohet nga mazhoranca nga Lëvizja Vetëvendosje e karakterizon një kaos jashtëzakonisht i madh, fatkeqësisht ky kaos nuk po e ka një fund, po vazhdon, edhe sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit dështoi për shkak të mungesës së anëtarëve të Kryesisë në këtë rast”, tha Tahiri.
Kusari-Lila pranoi se po përballen me telashe sa i përket kuorumit, ndërkohë kritikoi opozitën për, siç tha, sjellje të papranueshme e të papërgjegjshme.
“Arsyetimet se pozita e mban përgjegjësinë tash nuk pinë ujë, për faktin se rrethanat me të cilat karakterizohet puna dhe përgjegjësitë që i marrin deputetët e Kuvendit kanë të bëjnë drejtpërdrejt me miratimin e projektligjeve, me votimet e ndryshme të raporteve e natyrisht nga diskutimet në Kuvend”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se si shumicë aktualisht kanë kuorumin bazik prej 61 deputetëve, edhe pa Bogujevcin dhe një deputete tjetër, që po ashtu është në pushim të lehonisë.
Sipas saj, edhe dy deputetë nga pushteti abstenojnë vazhdimisht në votime.
Ndërkohë, për të mërkurën, Grupi parlamentar i PDK-së ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, në të cilën temë diskutimi do të jetë arrestimi i kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se përmes rezolutës do të kërkojnë shkarkimin e Krasniqit.
“Është e papranueshme që edhe kur po flasim tani, drejtori, kryeshefi i Korporatës Energjetike më të madhe në vend vazhdon të jetë në paraburgim, njëkohësisht vazhdon të jetë edhe në krye të Korporatës Energjetike të Kosovës”, tha Tahiri.
Kusari-Lila akuzoi opozitën se po merret me punët që nuk i takojnë, ndërkohë punët e saj nuk po i kryen.
“Në vend se të kryejnë punën për të cilën janë zgjedhur, deputetët e opozitës kanë vendosur që tashmë të luajnë rolin edhe të prokurorit dhe të hetuesve policorë. Ne e dimë që në momentin kur ngritet një aktakuzë, elementi i parë është prezurmimi i pafajësisë deri në shpalljen nga gjykata, siç është rasti i fundit me arrestimin e drejtorit të KEK-ut...”, tha Kusari-Lila.
Seanca me pikat e papërfunduara dhe ajo plenare kanë mbetur të diskutohen në mbledhjen e radhës të Kryesisë së Kuvendit, e që pritet të mbahet javën tjetër.