LAJMET E MBRËMJES

Kurti kërkon presion mbi Serbinë për nënshkrimin e Marrëveshjes dhe dorëzimin e Radoiçiqit

Albin Kurti

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih që është përmbyllur të dielën Qeveria i ka kërkuar senatorëve të Shteteve të Bashkuara që Serbia të detyrohet ta nënshkruajë marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe ta dorëzojë udhëheqësin e sulmit terrorist në Bansjkë, Milan Radoiçiq.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë takuar senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Ruben Gallego në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Kryeministri Kurti ka thënë se ka kërkuar nga senatorët amerikanë presion mbi Serbinë në mënyrë që ajo ta nënshkruajë Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe që Serbia ta dorëzojë Milan Radoiçiqin, i cili vetë e pranoi se e udhëhoqi sulmin terrorist në Basnjskë.  

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si aleatin tonë kryesor. Progresi i Kosovës në aspektin demokratik dhe atë ekonomik u theksua përgjatë takimit. Kryeministri foli edhe rreth orientimit euro-atlantik dhe objektivit e angazhimit tonë të vazhdueshëm për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në lidhje me raportet me Serbinë, Kryeministri theksoi rëndësinë e dorëzimit të kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili duhet të përballet me drejtësinë në Kosovë për organizimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023; nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike; tërheqjes së letrës së Brnabiq ku thuhet se nuk do të respektohet integriteti territorial i Kosovës”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

Për takimin me senatorët amerikanë ka shkruar edhe kryediplomati kosovar, Glauk Konjufca.

“Vizitën e parë jashtë Kosovës si ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës e kisha në Mynih të Gjermanisë, si pjesëmarrës në forumin më të rëndësishëm botëror të sigurisë, siç është Konferenca e Sigurisë së Mynihut. Në rendin botëror që po riformësohet pjesëmarrja jonë në MSC, si qeveri e Kosovës, bashkë me Kryeministrin Kurti dhe ministrin e Mbrojtjes Maqedonci, ishte mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer pikëpamje mbi nevojat për bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë me aleatët në përballje me sfidat rajonale dhe kontinentale të sigurisë. Forcimi i Kosovës si pjesë e Aleancës Perëndimore, sikurse edhe i çdo aleati veç e veç, do ta bëj aleancën veri-atlantike më të fuqishme kundrejt sfidave në këtë shekull të riformësimit gjeopolitik!” – ka shkruar Konjufca.

Gjatë qëndrimit në Munih Kryeministri Kurti ka njoftuar se ka takuar edhe kryediplomatin gjerman, Waderphul, me të cilin ka folur për çështjet e sigurisë.  

“Me ministrin për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, diskutoi rreth marrëdhënieve bilaterale, çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes, zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës. Ky ishte takimi i dytë bilateral i mbajtur mes tyre në muajt e fundit, pas vizitës së ministrit Wadephul nëntorin e kaluar në Kosovë”, u tha nga Kryeministria.

Kurti ka njoftuar se ka takuar edhe ministrin e Punëve të Jashtme të  Norvegjisë, Espen Barth Eide me të cilin kanë diskutuar për sektorin e ekonomisë, teknologjisë, energjisë, minierave dhe mineraleve dhe infrastrukturës.

E Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih e ka takuar drejtorin e përgjithshëm dhe atë shitjes në sektorin e mbrojtjes në kompaninë gjermane Mercedes.

Ai ka thënë se me këtë kompani, Kosova vitin e kaluar ka realizuar kontratë trevjeçare për furnizim me automjete të tilla, të cilat i ka cilësuar si ndër më të njohurat në inventarin e ushtrive.

Maqedonci po ashtu ka pasur takime edhe me homologët nga Shqipëria e Kroacia për aleancën ushtarake, Kosovë-Shqipëri-Kroaci, takim ky që ngjalli reagime në Serbi.