Pasi nuk mbajtën një konferencë të përbashkët, liderët e Ballkanit Perëndimor iu adresuan mediave nëpërmjet konferencave veç e veç. Në deklarimin e tij në Shkup, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një kërkesë për Bashkimin Evropian, derisa foli edhe për dialogun me Serbinë
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që Kosova të mos penalizohet në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian shkaku i Serbisë.
Në një konferencë për media, të hënën në Shkup, pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, ka thënë se procesi i anëtarësimit në BE duhet ndarë nga ai i dialogut Kosovë-Serbi.
“Nuk është fer që një shtet ku vullneti për t’u anëtarësuar në BE është 94 për qind të mbetet peng i çështjes së normalizimit me një shtet ku vullneti i anëtarësimit mbetet 35 për qind e mbetet prapa nesh sa i përket sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave…. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë”, deklaroi Kurti.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se në këtë periudhë bisedimet me Serbinë do të zhvillohen në nivel të kryenegociatorëve.
Në fakt, me përparimin në dialog janë kushtëzuar edhe Kosova, edhe Serbia për përfitim nga Plani i BE-së për zhvillim ekonomik.
Kërkesë për vazhdim të dialogut, për këto dy shtete pati edhe ndihmëssekretari amerikan, James O`Brien.
“Ne fuqishëm mbështesim Marrëveshjen e arritur në Ohër dhe besojmë se të dyja vendet duhet të angazhohen nëpërmjet dialogut të zbatojnë Marrëveshjen”, tha O`Brien.
E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se të dielën në Shkup, në darkën e përbashkët të liderëve të Ballkanit, kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç tha ai, patën komunikim pozitiv.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takime të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit të shkuar, pak ditë para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.