Për rreziqet nga Serbia e Rusia ka ngritur alarmin edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se burim i një konflikti të mundshëm nuk janë raportet ndëretnike në Kosovë, por autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmi në Moskë.
Kryeministri Albin Kurti i ka dhënë Serbisë epitetet e shtetit agresiv e nevrik.
Në një deklarim për media, pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, Kurti ka thënë se Kosova nuk është e frikësuar, por është e kujdesshme.
“Ne e kemi të qartë se fqinji jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo na bënë të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, tha Kurti.
Duke folur për konfliktet e mundshme në Kosovë, kryeministri Kurti ka vlerësuar se nuk është dallimi etnik ai që mund të shkaktojë konflikt, por, siç ka thënë, është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë.
“Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm në lindje të Evropës janë rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA-ja nuk mund ta dijë askush. Ajo çfarë bëjmë ne është se ne përgatitemi maksimalisht me çfarë mundemi edhe dimë”, tha Kurti.
Shtatorin e vjetëm Kosova është përballur me sulmin më të madh që nga paslufta, kur një grup paraushtarak serb synoi aneksimin e një pjese të veriut. Prej atëherë, kryeministri ka thënë se në krye të prioriteteve mbetet siguria.