LAJMET E MBRËMJES

Kurti thotë se Serbia po i ndjek metodat e Putinit

Kryeministri Albin Kurti paralajmëroi për rrezikun që i kanoset Kosovës e vendeve të tjera të rajonit nga Serbia, që, siç tha, po e vazhdon rrugëtimin drejt metodave të përdorura nga presidenti rus, Vlladimir Putin. Në të njëjtën kohë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nga vizita në Qendrën Ruse për Shkencë e Kulturë në Beograd, e paralajmëroi armatosjen e mëtutjeshme të vendit

Përveçse për Kosovën dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia po përbën rrezik edhe për vetë qytetarët e saj, ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti.

Në adresimin para mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka theksuar se me veprimet e fundit, përfshirë arrestimin e qytetarëve të Kosovës dhe rrahjen e politikanëve serbë që mendojnë ndryshe, shteti i Serbisë po e vazhdon rrugëtimin drejt metodave që përdoren nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

“E përcjellë në dritën e shkeljeve të të drejtave të njeriut e çdo zëri opozitar e paqësor, Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit, nga frikësimi e deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë, në drejtim të kundërt me obligimet në kuadër të Marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, ata gjithnjë e më larg vlerave të Bashkimit Evropian dhe të integrimit evropian e euroatlantik, të cilin edhe në teori e pretendojnë gjithnjë e më pak”, ka thënë Kurti.

Ai tha se shteti i Aleksandar Vuçiqit zgjedh çdo veprim tjetër përpara ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore me Kosovës, siç është dakorduar me marrëveshjen e shkurtit të vitit të shkuar.

“Ajo, në të vërtetë, zgjedh të sulmojë Kosovën, ashtu siç ka bërë me datën 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit e pastaj të mbrojë nga burgimi kryerësit e kësaj vepre terroriste, në krye me Millan Radojçiqin”, ka deklaruar ai.

E teksa Kurti foli nga Prishtina për rreziqet që kanosen prej Serbisë, presidenti serb Vuçiq, nga vizita në Qendrën Ruse për Shkencë e Kulturë në Beograd, paralajmëroi për armatosjen e mëtutjeshme të shtetit.

“Të gjithë po armatosen deri në dhëmbë. Po armatosen edhe në rajon dhe neve na takon të mos mbesim prapa. Gjithçka që mund t’ju them është se nuk do të mbesim prapa”, ka thënë Vuçiqi.

Lidhur me armatosjen e Serbisë dhe për manovrat e saja ushtarake, autoritetet në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen disa herë, përderisa edhe pas sulmit të 24 shtatorit, kanë paralajmëruar për agresione të tjera të mundshme ndaj Kosovës.