Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë dhe se strategjia e saj është krijimi i tensioneve në Kosovë dhe kërkimi i ndarjes së Bosnjës.
Kurti të premten paradite mori pjesë online në panelin e diskutimit në kuadër të Forumit për Integrimin e Ballkanit 2024.
Gjatë adresimit, sipas njoftimit të Kryeministrisë, kryeministri Kurti shprehu se sfidat me të cilat përballet rajoni janë të ndërthurura me kontekstin më të gjerë të ndryshimeve globale në aspekte të ndryshme politike dhe gjeopolitike.
“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka zbuluar rreziqet që vijnë nga regjimet autoritare. Në Ballkanin Perëndimor Serbia sot pasqyron stilin autoritar të Rusisë. Strategjia e saj është krijimi i tensioneve në Kosovë, dhe kërkimi i ndarjes së Bosnjës, duke i përdorur ato si mjet negocimi me Perëndimin për të siguruar lëshime dhe për të shmangur reformat e nevojshme”, ka thënë Kurti.
Shefi i Qeverisë ka thënë se ajo që nevojitet është normalizimi i vetë Serbisë, “e cila duhet të pajtohet me faktin se epoka e zgjerimit territorial dhe ndarjeve etnike ka përfunduar”.
Kryeministri nënvizoi se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për bashkëpunim rajonal dhe se vijon të punojë pareshtur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE si qëllime strategjike.
Ai shtoi se Kosova në tri vjetët e fundit ka shënuar rritjen më të shpejtë të treguesve demokratikë në rajon dhe rritje të lartë ekonomike, “duke treguar se demokracia dhe zhvillimi ekonomik ecin krah për krah njëra-tjetrës”.
Pjesë e panelit ishin edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, deputeti i Parlamentit Evropian, Tonino Picula, dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon.