Një grabitje dyshohet se ka ndodhur të enjten në një objekt afarist në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë.
Zëdhënësja e Policisë, Vlera Krasniqi, ka thënë për KOHËN se rasti është raportuar rreth orës 17:15.
“Sot, rreth orës 17:15, përmes linjës zyrtare telefonike kemi pranuar informatën për një rast të ndodhur në një objekt afarist në rrugën 'Nënë Tereza' në Gjakovë. Njësitet policore reaguese i janë përgjigjur menjëherë rastit me të marrë informatën, me ç'rast nga hetimet e para dyshohet se bëhet fjalë për një grabitje”, thuhet në njoftim.
Njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.