LAJMET E MBRËMJES

Kurti: Serbia është shtet paraushtarak – me sulme terroriste tash po i shënjestron civilët

Kryeministri Albin Kurti është pritur në Zagreb nga homologu i tij Andrej Plenkoviq, dhe të dy kanë konfirmuar raportet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë. Në adresimin e përbashkët para medieve, Kurti e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmet në veri dhe e ka quajtur paraushtarak këtë shtet. E, Plenkoviqi ka bërë thirrje për hetime të thella.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është shtet paramilitar dhe se ajo është përgjegjëse edhe për sulmet terroriste të viteve të fundit në Kosovë.

Pasi u prit në Zagreb nga homologu i tij, Andrej Plenkoviq, kryeministri tha në konferencën për medie se llogarit edhe në aleatët, siç është Kroacia, për ta mbrojtur kufirin.

“Përshtypje imja është se Serbia është veç formalisht republikë, ndërsa është e pamundur që të bëhet mbretëri edhe përmbajtësisht. Andaj në këtë boshllëk janë bërë ashtu siç prej kohësh i dimë, shtet paraushtarak. Te ne e dërgojnë Milan Radoiçiqin që të kryejë aksione terroriste e nëpër Beograd i rrahin studentët. Ne e dimë nga përvoja historike se si kjo merr fund. Por, duket se Beogradi nuk ka mësuar gjë nga e shkuara e tij”, ka thënë Kurti.

E, kryeministri kroat shtroi nevojën për hetime të thella, për të gjitha sulmet në veri.

“Ky incident nuk është i ri, nuk është i izoluar, i ka pasuar tri incidente dhe sulme të mëdha që kanë ndodhur gjatë një viti e gjysmë të fundit e të cilat, natyrisht, për sa i përket Kroacisë, janë analizuar në mënyrë të hollësishme dhe janë pranuar me shqetësim të madh”, është shprehur Plenkoviq.

Kryeministri Kurti theksoi se, nëpërmjet sulmeve të orkestruara në Kosovë, Serbia ka ndërruar shënjestrat, nga institucionet tek popullsia civile.

“Më herët kemi pasur sulme ndaj Policisë së Kosovës, kemi pasur sulme ndaj ndërtesave zyrtare komunale, por kësaj radhe në shënjestër është popullsia civile, sepse furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë elektrike, që është jetik edhe për qytetarët, e edhe për bizneset, ka qenë në shënjestër”, u shpreh Kurti.

Të dy kryeministrat kanë shtruar nevojën që të respektohet marrëveshja bazë, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duam normalizim të marrëdhënieve, me njohje reciproke. E kemi marrëveshjen në Bruksel nga 27 shkurti i vitit të kaluar dhe Aneksin e zbatimit nga 18 marsi në Ohër. Atë duhet ta respektojmë dhe zbatojmë. Kosova është konstruktive, e përkushtuar dhe gjithnjë kreative në gjetjen e zgjidhjeve si dy shtete të pavarura që synojnë fqinjësi evropiane”, ka thënë Kurti.

“Besojmë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizim dhe të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe funksionimin që çon te pozita që Kosova të ndërmarrë rrugëtimin drejt BE-së”, ka shtuar kryeministri i Kroacisë.

Gjatë vizitës janë firmosur edhe shumë marrëveshje ndërmjet ministrave të të dyja qeverive, përfshirë edhe të tilla që i përkasin fushës së sigurisë.